Takim grotesk-Samiti i Londrës

I zhvilluar në mes të krizës qeveritare britanike, takimi i nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor në Londër dha pak impulse për procesin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

I zhvilluar në mes të krizës qeveritare britanike, takimi i nivelit të lartë të Ballkanit Perëndimor në Londër dha pak impulse për procesin e bashkëpunimit rajonal dhe perspektivën për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Takimi ishte grotesk. Në hapjen e samitit për Ballkanin Perëndimor në lindje të Londrës mungonte ai që priste miqtë. Boris Johnson nuk arriti të vinte. Ministri i Jashtëm britanik ishte disa kilometra më tutje i zënë me shkrimin e dorëheqjes së tij. Dorëheqja e Johnsonit e vendosi në hije takimin aq të rëndësishëm për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe nxorri në plan të parë Brexitin. Në vend të freskisë së pranimeve të reja në BE, takimi u sundua nga ajri i prishur i daljes nga BE. Si mund t’i prezantojë në mënyrë të besueshme një vend virtytet e Klubit evropian, prej të cilit ai vetë është duke u larguar?

Londra rrit ndihmat financiare

Britania e Madhe po largohet nga BE, por nuk do të shkëputet nga përgjegjësia që ka për Ballkanin, u mundua të thoshte kryeministrja britanike Theresa May. Ky pohim u shoqërua me premtime financiare: Mbas Brexitit Londra do të rrisë ndihmat financiare për vitet 2020 /2021 me 95 përqind duke dhënë 80 milionë pfund“.

Grobritannien London Pressekonferenz von Theresa May und Angela Merkel (Getty Images/S. Rousseau)

Me këto do të përkrahen projektet në rajon. Ka shumë punë për të bërë- administrata publike dhe drejtësia duhen reformuar, projektet ekonomike duhen vënë në vijë. Theresa May: „Në afat të gjatë mirëqënia është garancia më e mirë për sigurinë “. Me këtë fjali ajo kaloi në temën që i intereson më shumë.
Mbasi foli në takimet e mëparshme kryesisht për bashkëpunimin rajonal, këmbimin mes të rinjve dhe konektivitetin, Britania e Madhe e vendosi çështjen e sigurisë në qendër të bashkëpunimit: Në të ardhmen Bashkimi Evropian do të punojë ngushtë në këtë fushë me gjashtë vendet e perëndimit të Ballkanit. Synimi është pengimi i migracionit ilegal, radikalizimit dhe tregëtisë së armëve.

Siguria – emëruesi i vetëm i përbashkët

Ison e mori kancelarja gjermane, Angela Merkel duke thënë se “Siguria e Ballkanit Perëndimor është në interes të Gjermanisë dhe BE-së”. Tema e sigurisë është me sa duket emëruesi i vetëm i përbashkët, për gjithë pjesëmarrësit në të ashtuquajturin Procesi i Berlinit. Ballkani perëndimor duhet të ndihmojë në sigurimin e kufijve të BE-së në kuadër të Frontex-it, po ashtu si në luftën kundër terrorizmit dhe kriminalitetit të organizuar me ndihmën e Europolit.
Në kohërat kur diskutimet në BE sundohen prej frikërave për migracionin dhe humbjen e kontrollit,  afrimi i Ballkanit me BE mund të prezantohet tek populli votues, i lodhur prej zgjerimit, më së miri nëpërmjet kësaj teme.

Por jo vetëm brenda për brenda. Edhe tek vetë vendet që duan të pranohen, BE mbetet në akt balancimi. Shtetet e Ballkanit Perëndimor duhen mbajtur në vazhdë megjithëse është e qartë për të gjithë, se pranimi konkret në BE kërkon shumë sforcime. BE duhet ta forcojë ndikimin e vet në rajon me projekte të dukshme dhe konkrete. Sepse lojtarë të tjerë globalë ndodhen tek dera: Rusia, Kina, madje Turqia e kanë rritur prezencën e tyre në mënyrë të ndjeshme.

Prandaj kohët e fundit BE rriti presionin për zgjidhjen e konflikteve të vjetra: Marrëveshja midis Maqedonisë dhe Greqisë me të cilën u zgjidh grindja dhjetravjeçare për emrin, u arrit me ndërmjetësimin e BE dhe duhet të shërbejë si model për gjithë konfliktet bilaterale.

Großbritannien EU-Westbalkangipfel in London (picture-alliance/empics/L. Neal)

„Ne nxorrëm mësime nga shembulli i Kroacisë. Në të ardhmen asnjë vend nuk do të hyjë në BE, pa zgjidhur më parë problemet bilaterale“, tha Komisari për Zgjerimin Johannes Hahn, një një intervistë për DW. Që në mes të 2019 do të fillojnë bisedimet me Maqedoninë dhe Shqipërinë. Serbia dhe Mali i Zi janë duke i bërë bisedimet me zell dhe janë vendet më premtuese për pranim në BE, megjithë konfliktin e pazgjidhur me Kosovën.

Polonia vend mikpritës në 2019-n

Por lajmet e mira në procesin e pranimit shuhen rrugës për tek publiku i BE-së për shkak të frikërave për rreziqet e mundshme që vijnë nga vendet e Ballkanit. Një aspekt i rëndësishëm këtu është largimi i vazhdueshëm nga vendi, sidomos  të rinjve. Perspektiva të këqija ekonomike, pak besim tek politika janë shkaqet më të rëndësishme pse rinia largohet nga vendi i vet. „Rinia nuk është e bindur ende se ka të ardhme në vendin e vet, prandaj ne duhet të bëjmë të pamundurën në mënyrë që ata që kanë ikur të kthehen atje dhe të gjejnë vendin e tyre, dhe të qëndrojnë aty, sepse kanë të ardhme”, tha kancelarja Merkel në konferencën e shtypit të mbajtur në fundit të samitit.

Një postulat i bukur! Por çfarë u diskutua në këtë takim për këtë gjë dhe çfarë vendimesh u morrën, mbetet ende të shihet. Sepse komunikimi me shtypin, që kishte ardhur në numër të konsiderueshëm nga vendet e Ballkanit Perëndimor, arriti nivelin më të ulët të mundshëm në samitin e Londrës: Në konferencën e shtypit me Merkelin May-in dhe kryeministri polak Morawiecki, i cili do e zhvillojë këtë takim vitin tjetër në vendin e vet, nuk u lejua të bëhej asnjë pyetje për Ballkanin Perëndimor. Dhe asnjë pyetje nga një gazetar prej Ballkanit Perëndimor. Komunikimi i barabartë sy më sy nuk duket kështu! Turp, thanë edhe gazetarët britanikë. Ndërsa për Brexitin mund të bëheshin pyetje! /DW

Kategori
RajoniTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*














Emisione