Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të martë përpara ministrave të tij dhe titullarëve të autoriteteve të ndryshme kontraktore paketën e re të prokurimeve publike. Kreu i qeverisë tha se paketa jep mjete të reja dhe efikase duke garantuar një kuadër rregullator prokurimi publik në vendin tonë e duke iu përafruar legjislacionit europian.

Rama solli shifra dhe tha se Agjencia për Prokurimin Publik ka dërguar rekomandime në rastet kur kanë rezultuar problematika. Ai u shpreh se 21% e institucioneve nuk kanë kthyer përgjigje. Për këto raste, Rama pati një paralajmërim të fortë duke thënë se do të jetë vetë Kryeministria që do t’i çojë në SPAK.

“Ama sikur në një rast të vetëm rekomandimet të bien në një vesh aq të shurdhët sa mos të ketë më fare përgjigjemi, a thua se Agjencia mbyll letra në shishe dhe i hedh në det që dallgët t’i nxjerrin ku t’i nxjerrin, çdo rast i tillë do të shkojë në SPAK dhe do shkojë në SPAK nga kjo godinë këtu. Pastaj a është i qëllimshëm, a është thjesht injorancë në raport me etikën shtetërore, këtë çështje indeferentët përkatës ta shpjegojnë duke marrë avokat me vete”, tha Rama.

“Institucionet të mos funksionojnë si bajrake”

Sipas kryeministrit, për tenderat ka një nivel të ulët të kuptimit të procesit dhe kjo krijon një efekt zinxhir që sipas tij sjell rezultate të shëmtuar. Rama u shpreh se shteti shqiptar mund të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike. Ajo që duhet bërë sipas tij është që institucionet të mos funksionojnë si bajrake, por si hallka të një sistemi.

“Ajo që bie në sy është niveli i ulët i kuptimit të vetë procesit që pastaj krijon një efekt zinxhir dhe e degradon procesin në rezultate të shëmtuara. Në këtë vend mos t’i hahet haku askujt. Kush e ka me hak, të marrë hakun, kush nuk e ka me hak, të mos marrë hakun e dikujt tjetër. Është shumë më e lehtë të thuhet se të bëhet sepse procesi është në vetvete një proces i ndërlikuar, është një proces që vetë BE vazhdon sot e gjithë ditën të kërkojë rrugë dhe mjete ligjore për ta përsosur, por ama është plotësisht e mundur, objektivisht e mundur që në një  kohë të mundur, jo të gjatë, ky shtet të kalojë në një nivel tjetër në fushën e prokurimeve publike duke bërë disa gjëra të thjeshta. Duke garantuar që çdo institucion funksion si hallkë, jo si bajrak dhe duke funksionuar si hallkë, funksionon si pjesë e një zinxhiri ku komunikimi duhet të jetë jo 99%, por 100% i garantuar”, tha Rama.

Rama për paketën e re të prokurimeve publike: Objektivat, realizisht të realizueshme

Kryeministri zbuloi objektivat e reja për titullarët e institucioneve dhe tha se tashmë autoritetet kontraktore me paketën e re duhet të monitorojnë sjelljen e operatorëve ekonomikë.

Janë disa objektiva lehtësisht të realizueshëm nëse i gjithë sistemi i prokurimit konsolidohet në një proces ku afatet janë të padiskutueshme. Jo afatet ligjorë të tenderave se ato vetvetiu janë të padiskutueshme, por afatet në trajtim, kthim-përgjigje, ndërveprim brenda për brenda institucioneve dhe krijimin e një garancie për të gjithë operatorët që loja me afatet nuk funksion më. Po ta mbaj atje sa të paraqitesh, ose po e nxjerr kur të paraqitesh. Na duhet të rrisim konkurrencën dhe kjo kërkon rritjen e besimit. Pjesëmarrja e operatorëve ekonomikë edhe pse është e lartë mbetet ende relativisht e ulët.

Shmangia e kritereve të qepurave me dorë që kufizojnë konkurrencën me paketën ligjore është mundësuar që të adresohet me efikasitet, duke mundësuar detyrimin e institucioneve që formularin ta publikojnë bashkë me dokumentet e procedurës. Ka edhe një aspekt që autoritetet kontraktore duhet të monitorojnë sjelljen e operatorëve ekonomikë, tërheqjet nga gara, rrotacionet në ofertim, ofertimet fiktive. Duhet të marrin masa që të referohen rastet në institucionet përkatëse për hetime administrative dhe kur e shohin të arsyeshme autoritetet kontraktore t’i reforojnë këto raste edhe në organet e prokurorisë. Një tjetër element shumë i rëndësishëm ku është bërë një përmirësim i ndjeshëm dhe është i pamjaftueshëm është zbatimi i kontratave. Në fund të ditës një kontratë e zbatuar keq hedh në erë edhe një kontratë prokurimi të zbatuar mirë. Do t’ju inkurajoja që të njiheni me detaje me paketën e re ligjore dhe të gjithë janë të vetëdijshëm që me ligjin e ri titullarët janë përgjegjës direkt për menaxhimin e fondeve. Numri i pjesëmarrësve për procedurë, vlera e kursyer, numri i procedurave për negocim dhe në këtë rast ministritë kanë shembullin më domethënës të suksesit. Falë angazhimit të ministrave ku së bashku kemi vendosur objektivin që procedurat me negocim, pa tender që ishin një lukuni e ardhur nga shpellat e së shkuarës të ktheheshin në histori a kemi dalë në mënyrë mbresëlënëse. E them se kjo tregon që ku ka vullnet ka rezultat edhe aty ku duket sikur janë të gjithë argumentet që rezultati të mos kërkohet sepse nuk arrihet“, tha Rama./tvklan.al