Policia ka shpallur në kërkim një 36-vjeçar me iniciale V.T., i cili tentoi të vriste dy persona, nipin dhe xhaxhain. Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme në fshatin Lumardhë të Fushë Arrëzit.

36-vjeçari që drejtonte automjetin “Land Rover”, përplasi qëllimisht makinën “Volkswagen” me të cilën udhëtonin dy persona, nipi dhe xhaxhai. Si pasojë e përplasjes, pësoi dëmtime drejtuesi i mjetit 26-vjeçari me iniciale A.G. dhe xhaxhai i tij M.G. 61 vjeç që ishte pasagjer në këtë mjet.

Dy të dëmtuarit deklaruan në polici se autori i dyshuar me iniciale V.T. më pas u doli përpara duke i kërcënuar me pistoletë dhe qëlloi drejt tyre. Për fat të mirë nuk pati asnjë të lënduar.

Nga ana tjetër, policia thotë se grupi hetimor që shkoi në vendngjarje, nuk gjeti aty asnjë gëzhojë arme. Shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë nuk dihen, ndërsa hetimet kanë nisur për veprën penale vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë. 36-vjeçari i dyshuar si autor i ngjarjes, është shpallur në kërkim ndërsa emri i tij nuk bëhet publik për shkak të hetimeve. /

tvklan.al