“Dispozitat ligjore të mos devijojnë nga ligjet e natyrës”

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi priti në një takim sizmologun grek Spyros Pavlidis. Në takimin mes tyre u diskutua për tërmetin shkatërrues të 26 Nëntorit që goditi vendin tonë duke lënë 51 të vdekur e mbi 900 të plagosur.

Kryeparlamentari u shpreh se harta sizmike duhet të plotësohet nga harta zonale dhe ligjvënësit duhet të bashkëpunojnë me shkencëtarët.

Asnjë dizpozitë ligjore të mos devijojë nga ligjet e natyrës. Të krijojmë kulturën sizmike të shoqërisë”, theksoi Ruçi gjatë takimit me sizmiologun grek.

Tërmeti i 26 Nëntorit më ka shtyrë mua personalisht, por edhe si Kryetar i Kuvendit, të reflektoj mbi nevojën e rishikimit të legjislacionit e procedurave, jo vetëm në fushën e ndërtimeve, por në të gjitha marrëdhëniet e veprimet tona mbi natyrën dhe burimet e saj. Unë kam vlerësim të lartë për punën tuaj si edhe të gjithë ekspertëve grekë dhe bashkëpunimin tuaj rezultativ me Parlamentin dhe Qeverinë, për të hartuar legjislacionin, procedurat dhe rregulloret antisizmike. Prandaj, e konsideroj të nevojshme rishikimin e kujdesshëm të legjislacionit mbi tokën, mjedisin, ndërtimet, ujërat, parandalimin e fatkeqësive natyrore e çështje të tjera që lidhen me natyrën, burimet, pasuritë, por edhe dukuritë e saj. Asnjë paragraf i legjislacionit tonë nuk duhet të devijojë nga mirëkuptimi me natyrën dhe ligjësitë e saj. Kuadri ynë ligjor duhet të respektojë në mënyrë rigoroze ligjësitë e saj dhe rezultatet e shkencave natyrore, gjeologjike, fizike etj. Për këtë do të mirëprisnim edhe kontributin tuaj si edhe të universiteteve dhe ekspertëve të shquar grekë dhe nga vende të tjera”, u shpreh Ruçi.

Nga ana tjetër, Pavlidis apeloi që në ndërtimet e reja duhet të zbatohen rreptësisht rregullat anti-sizmike, teksa i bëri me dije kryeparlamentarit se “sizmiologë të shquar shqiptarë kanë hartuar hartën sizmike”.

“Greqia dhe Italia kanë përvoja të shkëlqyera në studimin e dukurive sizmike, mbrojtjen prej tërmeteve, kufizimin e pasojave të tyre dhe edukimin e popullsisë me kulturën antisizmike. Ju keni shkencëtarë të shquar, me të cilën ne kemi bashkëpunuar dhe po bashkëpunojmë. Legjislacioni dhe rregulloret greke dhe italiane mund të përshtaten mjaft mirë për Shqipërinë sepse jemi në të njëjtën zonë sizmike. Kjo gjë duhet bërë menjëherë. Legjislacioni dhe rregulloret duhet të parashikojnë dy aspekte: të gjitha ndërtimet e reja duhet të mbështeten në rregullat e rrepta antisizmike, ndërsa ndërtimet ekzistuese duhet të kontrollohen nga aftësitë e tyre për të përballuar lëkundje të mundshme sizmike, karakteristike për zonën sizmike ku bën pjesë Shqipëria. Ju keni një hartë sizmike të hartuar nga sizmiologë të shquar shqiptarë, por mendoj se kjo hartë duhet të detajohet në harta zonale për të gjithë territorin e vendit. Përveç kësaj, duhet të bashkëpunojmë për të kultivuar kulturën sizmike të popullsia dhe çlirimin e saj prej stresit që shkaktojnë tërmetet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore”, deklaroi Pavlidis.

Sizmiologu grek Spyros Pavlidis vizitoi Shqipërinë pas tërmetit katastrofik, së bashku me një grup nga Greqia. /tvkan.al