Pranimi i Kosovës në UEFA është përgëzuar nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe Kryeministri Isa Mustafa.

Në një prononcim për

Klan Kosovën

, Thaçi e konsideroi këtë pranim historik për vendin. Sipas tij, tashmë UEFA u pasurua edhe me një shtet si Kosova.

“Faleminderit të gjithëve për angazhimin, ky është lajm historik, pas tre dekadash izolimi në sport dhe futboll arriti të anëtarësohet në UEFA. Falenderoj kryetarin e Federatës Fadil Vokrri dhe ekipit të tij për punën e mrekullueshme. Tashmë UEFA u pasura edhe me një vend, me talentet e rinj europianë, unë dua të besoj fuqishëm se ekipet kosovare, Kombëtarja Kosovare do të jenë shembull jo vetëm rajonal, por edhe europian”

, tha Thaçi për

Klan Kosovën.

Presidenti Thaçi u shpreh gjithashtu se pret që Kosova të jetë pjesëmarrëse në eliminatoret për botërorin e ardhshëm, si dhe të pranohet edhe në FIFA”.

Ndërsa Kryeministri Isa Mustafa, në një reagim në Facebook tha se ndihej i lumtur dhe krenar që Kosova u pranua në UEFA.

“Ndihem shumë i lumtur dhe krenar që shteti ynë sapo arriti edhe një sukses kulminant historik. Futbolli kosovar nga sot është anëtar i familjes evropiane të futbollit, UEFA-s. Shumë shpejt edhe i FIFA-s. Kosova po përjeton një periudhë të sukseseve të jashtëzakonshme. Rezultatet kulminante, produkt i përkushtimit tonë dhe përkrahjes së miqve ndërkombëtar, do të vazhdojnë në ditët në vijim. Të ndihemi krenar me Atdheun tonë! ”,

shkruajti Mustafa në postimin e tij. /tvklan.al