5 ditë para se Presidenti dhe Kryeministri i Kosovës të takohen në Shtëpinë e Bardhë me homologët serbë në një takim të ndërmjetësuar nga i dërguari i Presidentit Trump, Richard Grenell, Hashim Thaçi thotë se kjo do te mund te jete një mundësi e artë për dy vendet, por një marrëveshje sipas tij është thuajse e pamundur.

“Do të mund të jetë një mundësi e artë për shtetin e Kosovës dhe atë të Serbisë që të punojnë për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare që do të mund të ishte e rëndësisë jetike për të mirën e popujve dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor“, thotë Thaçi në një intervistë ekskluzive në “Opinion” me gazetarin Blendi Fevziu. Por nga ana tjetër, ai shton se “nuk duhet të jemi naivë dhe të kemi pritje të mëdha. Do të jetë një takim jo i lehtë, do të jetë një takim shumë i vështirë…dhe nuk duhet të prezantojmë pritje të mëdha tek njerëzit. Ne do të bëjmë më të mirën e mundshme, unë gjithmonë shkoj me vullnetin e mirë dhe me shpresë se mund të arrihet marrëveshje, megjithëse do të jetë pothuajse e pamundur.

Presidenti i Kosovës thotë se nuk mendon se takimi në Shtëpinë e Bardhë mund të sjellë njohjen reciproke, por mund të hapë mundësinë që ky proces të ndodhë në të ardhmen e afërt.

Jam skeptik se do të mund të arrihet ndonjë marrëveshje, por në anën tjetër, nëse arrihet…nëse janë të nevojshme ndryshimet kushtetuese dhe ligjore, do të kalojë përmes parlamentit apo përmes deklarimit qytetar të referendumit…Nuk mendoj që takimi në Uashington do të sjellë njohjen reciproke, por mund të hapë mundësinë e këtij procesi që të ndodhë në të ardhmen e afërt. Nga ana tjetër, gjithashtu nëse nuk arrihet një marrëveshje që rezulton me implementimin e plotë të njerëzve në Kosovë dhe Serbi, e ka deklaruar qartë ambasadori Grenell, nuk mund të ketë rikthim në ‘status quo’.

Sipas Thaçit, çdo marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të arrihet pa demarkimin e kufijve mes dy vendeve.

Një marrëveshje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë nuk do të mund të arrihet pa definimin, pa demarkimin e kufijve mes dy vendeve. Asnjë marrëveshje mes vendeve sovrane, kemi shembull plot të Kroacisë me Serbinë, Bosnjes me Serbinë, por edhe vendeve të tjera. Nuk mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare dhe njohje reciproke pa definimin, pa demarkimin e kufijve./tvklan.al