Bashkëpunimi mes Tiranës dhe Parisit do të jetë edhe më i fortë në fushën e inovacionit dhe teknologjisë pas një marrëveshje mes Kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ambasadores franceze.

“Një energji fantastike, e cila filloi me vizitën e Presidentit Macron, pastaj nga tetori në prill u bë një punë e jashtëzakonshme nga qeveria shqiptare dhe rikthimi i vizitës së kryeministrit Rama në Paris ishte gjithashtu një histori suksesi, që tani duhet zbërthyer në nivelet më të vogla. Ne në Tiranë jemi përgjegjës për disa prej aktiviteteve që kemi dakordësuar. Ne jemi përgjegjës për Kubin Francez, i cili do ta zhvillojë aktivitetin te Piramida e Tiranës dhe do të jetë një kompeticion shumë interesant mes kubeve që kanë jetën e tyre, aktivitetin e tyre.”

Nga ana e saj ambasadorja franceze, Catherine Suard vlerësoi nivelin e bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Jam entuziaste për faktin, që niveli i bashkëpunimit, i marrëdhënieve mes Francës dhe Shqipërisë është tejet i shkëlqyer dhe është forcuar. Kemi dashur të forcojmë më tej bashkëpunimin e deritanishëm mes Agjencisë së Industrisë Kreative në Tiranë, ku do të zhvillohen evente në mjedise të hapura dhe do të sjellim po ashtu propozime domethënëse.”

Veliaj u shpreh entuziast për raportin special mes Tiranës e Parisit, teksa përmendi faktin se në fillim të muajit maj do të ketë një takim me kryebashkiaken e Parisit Anne Hidalgo.

Klan News