Veliaj: Brenda vitit nis puna për terminalin e Lundrës

Përgjatë rrugës dytësore në autostradën Tiranë-Durrës, Bashkia ka nisur mbjelljen e pemëve të reja. Në mbjelljen e 100 pemëve të para ishte i pranishëm edhe Kryebashkiaku Veliaj, i cili foli për terminalin e ri të autobusëve të Jugut dhe të Veriut, i cili u zhvendos nga dogana  në anën tjetër të rrugës tek “Kthesa e Kamzës”.

“Sot kemi vetëm një hapësirë parkimi provizore, për ta çuar në një projekt afatgjatë ku treni, autobusi interurban dhe autobusët urbanë do të mblidhen në një vend. Ndërkohë, kemi stacionuar 4 linja urbane të qytetit në terminal, që do të thotë se pasi dikush vjen nga veriu ose jugu i Shqipërisë, mund të marrë një nga këto 4 linja për të vijuar udhëtimin e tij në Tiranë, me abone ose me biletë të transportit urban”.

Ndërtimi i terminalit të ri në Lundër, sipas kryebashkiakaut do të çlirojë përfundimisht qarkullimin e automjeteve që vijnë nga juglindja.

“Brenda vitit do të jemi gati edhe me terminalin në Lundër, ku të gjitha linjat që vijnë nga juglindja, por edhe ndërkombëtarët nga Maqedonia, Greqia dhe Turqia, do kenë mundësi të vendosen aty, duke krijuar kështu një portë perëndimore dhe lindore të qytetit për transportin interurban, çka lehtëson sistemin e qarkullimit brenda qytetit”.

Në kryeqytet janë vënë në lëvizje nga Bashkia, edhe autobusë fizarmonikë me 2 artikulacione.

Tv Klan