13 persona, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës u vunë në pranga në një operacion të përbashkët të policisë shqiptare, italiane dhe asaj gjermane. 3 prej të arrestuarve të operacionit të koduar “Sammogia” u ndaluan në Vlorë.

Bëhet fjalë për 52-vjeçarin Landi Kalemaj si dhe Floriant e Ledjon Muhon, 38 dhe 33 vjeç. Për të tre këta persona gjykata e Bolonjës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të organizatës kriminale. Interpol Tirana dhe homologët në Itali janë duke punuar për kryerjen e ekstradimit të tyre në vendin fqinj.

Mediat italiane që kanë publikuar edhe pamje të operacionit shkruajnë se përveç 13 të arrestuarve, janë edhe 9 të tjerë nën hetim. Nga kontrollet u sekuestrua 26.5 kg kokainë dhe 11 kg marijuanë.

Grupi akuzohet se trafikonte lëndën narkotike nga Gjermania drejt Italisë me korrierë të posaçëm të cilët u mbajtën nën vëzhgim.

Klan News