Trazirat në SHBA, polici shqiptar në Amerikë: Nuk përdoret forca pasi janë vënë prangat


Trazirat në SHBA, polici shqiptar në Amerikë: Nuk përdoret forca pasi janë vënë prangat

23:30 01/06/2020

Prej disa ditësh, SHBA është përfshirë nga trazira të dhunshme pas vrasjes së afro-amerikanit nga një oficer policie, i cili kishte vendosur gjurin mbi qafën e të arrestuarit, duke e asfiksuar.

Për të folur për këtë ngjarje, polici shqiptar në SHBA Edmond Drishti, ka thënë në një lidhje direkte për emisionin “Opinion” në Tv Klan se viktima dhe polici që tashmë është arrestuar, kanë pasur njohje të mëparshme me njëri-tjetrin.

“Shumica nuk e dinë që këta dy vetë e kanë njohur njëri-tjetrin përpara. Asnjë polic nuk e pranon atë që ka bërë ky zotëria. Në momentin që i janë vënë prangat, duhet mbaruar çështja e forcave. S’ka kuptim për ta mbajtur kaq fortë”, u shpreh Edmond Drishti, Komandant në Departamentin e Policisë së Hoboken.

Drishti ka shpjeguar edhe të drejtat që ka policia amerikane në raport me një keqbërës, kompetenca që në fakt janë më shumë se sa ato që kanë policët në Europë. Sipas tij, policët amerikanë kanë të drejtë të kundërpërgjigjen me dyfishin e reagimit të keqbërësit.

“Ne kemi të drejtë të përdorim një forcë të nivelit më të madh se ai që përdor armiku. Nëse ai përdor grushtin, ne kemi të drejtë të përdorim shkopin”, u shpreh Edmond Drishti. /tvklan.al




Të ngjashme