Ndodhi në kohën kur Sergio Ramos dhe e gjithë skuadra çoi trofeun në tribunat e tifozëve madrilenë. Ronaldo qëndroi në distancë. Priti pak e më pas iu bashkua edhe ai grupit. Por sjellja e tij ishte e një futbollisti në ikje. Po shihte gjithçka nga larg. Me fjalët që zgjodhi e tregoi se sezoni i ardhshëm me shumë mundësi nuk do ta gjejë në Madrid.

“Tani do shijoj këtë moment. Në ditët e ardhshme do t’i jap një përgjigje tifozëve që më kanë përkrahur gjithnjë. Ishte shumë bukur të luaja me Real Madrid. Në ditët e ardhshme do të flas. E rëndësishme nuk është e ardhmja si futbollist. E rëndësishme është që bëmë histori.”

Nëse do të jetë kështu, që ai do të largohet, fitorja e trofeun të 5-të Champions në karrierën e tij do të ishte mënyra më e mirë për të thënë lamtumirë. Mediat spanjolle raportojnë se Ronaldo ka refuzuar një rritje kontrate në muajin Janar. Deklarata e tij ishte si rrufe në qiell të hapur për klubin dhe futbollistët e tjerë të Realit. Sipas tyre Ronaldo nuk duhet ta kishte bërë deklaratën e tij pikërisht në këtë ditë

Të shumtë ishin tifozët që nga sheshi Cybeles i kërkonin Ronaldos të qëndrojë.

Pas asaj që bëri në këtë finale, me dy supergola, edhe Gareth Bale do të rishikojë të ardhmen.

 “Kam nevojë të luaj. Herë e kam nisur si titullar e herë jo. Tashmë do të ulem dhe ta diskutoj me menaxherin tim.”

Deklarata e tij i shton shqetësimet e drejtuesve të Real Madrid që tashmë jo vetëm duhet të afrojnë futbollistë të tjerë por edhe të mbajnë yjet që rrezikojnë tu largohen nga ‘galaktika’.

Tv Klan