Frymëmarrje për 24 trajnerët e kombëtareve në Euro2024. UEFA ka dhënë dritën jeshile për përzgjedhjen e 26 futbollistëve për turneun e kësaj vere, duke shtuar alternativat për teknikët e përfaqësueseve të kualifikuara në finalet e Europianit.

Trajnerët e 24 kombëtareve, mes të cilëve edhe Sylvinho kanë votuar unanimisht që kjo listë të shkonte nga 23 në 26. Skuadrat e zgjeruara u përdorën në Europianin e fundit në 2021 si një masë për të ndihmuar skuadrat të përballen me pasojat e pandemisë COVID.

Ky vendim duket se do të thotë se skuadrat me 26 lojtarë do të bëhen normë për të gjitha garat kombëtare të UEFA-s.

Lista e Kampionatit Europian do të dorëzohet në UEFA mbrëmjen e 7 qershorit, një javë para ndeshjes së parë të turneut mes Gjermanisë dhe Skocisë. Për herë të dytë në Europian do të jetë edhe kombëtarja shqiptare shortuar në një grup me kampionët në fuqi, Italinë dhe dy pretendent për titullin si Spanja dhe Kroacia.

Kuqezinjtë e Sylvinho debutojnë në këtë kompeticion ndaj Italisë në Dortmund më 15 qershor. Të 51 takimet e turneut që do mbahet në Gjermani nga 14 qershori deri më 14 korrik do të vijnë falas dhe ekskluzivisht në TV KLAN.

Klan News