Rusia mund të ketë përdorur një lloj të ri bombash gjatë sulmeve ajrore në qytetin verilindor ukrainas të Harkivit, ku një ditë më parë u vra të paktën një person, thanë zyrtarët lokalë.

Zyrtarët thanë se të paktën katër fëmijë, përfshirë një foshnje tremuajshe, ishin në mesin e 19 personave të plagosur në Harkiv në sulmet e fundit të kryera në pushtimin rus të Ukrainës që ka nisur në shkurt të vitit 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin duke e cilësuar si “terror rus” dhe Volodymyr Tymoshko, kreu i policisë rajonale në Harkiv, tha se Moska mund të ketë përdorur një lloj të ri të “bombave të mençura”, që ai tha se ishin të llojit UMPB D-30.

Ai tha se bomba të tilla së fundmi. “Bombat e mençura” janë bomba që i drejtohen vetë cakut pasi piloti zgjedh shënjestrën para se t’i lëshojë ato, duke i mundësuar pilotit që të largohet nga zona e shënjestruar.

Edhe guvernatori rajonal, Oleh Synehubov, sugjeroi se Moska mund të ketë përdorur një lloj të ri bombash duke theksuar se “duket rusët vendosën të testonin bombat e tyre të modifikuara ndaj banorëve dhe ndaj shtëpive”.

Rusia nuk ka komentuar menjëherë për këto deklarata. Moska mohon se shënjestron civilët edhe pse gjatë luftës në Ukrainë janë vrarë mijëra persona, janë zhvendosur miliona të tjerë dhe janë shkatërruar qytete dhe vendbanime.

Në javët e fundit, rusët kanë intensifikuar sulmet ajrore ndaj Ukrainës duke shënjestruar infrastrukturën kyçe, përfshirë stacionet elektrike, në shenjë hakmarrjeje për bombardimet në rajonet kufitare ruse.  /REL