Në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan ka qenë kandidatja për kryetare e PD-së Edith Harxhi, e cila shprehet se ajo kërkon pronën e saj dhe atë që i takon të gjithë demokratëve. Sipas saj Lulzim Basha e ka marrë peng Partinë Demokratike dhe kërkon të ketë një debat publik me të. Madje pyet Çanin “e shqetësuar” se ku është Basha, sepse ka 3 javë që nuk e ka parë në publik.

Arian Çani: Pse kërkoni t’i merrni pronën Lul Bashës? A jeni koshiente zonja Harxhi për vendimin që keni marrë për t’i marrë pronën dikujt?

Edith Harxhi: Unë si mbesë pronarësh të ligjshëm, të shpronësuar nga regjimi komunist, e kam pronën shumë të shenjtë dhe unë kërkoj pronën time, atë që më takon mua dhe atë që i takon të gjithë demokratëve. Kjo pronë nuk ka qenë kurrë pronë e Lulzim Bashës, ai ka qenë menaxheri i kësaj prone. Në qoftë se ne do ktheheshim sot siç kanë bërë shumë të tjerë që kanë marrë pronat e pronarëve të ligjshëm për disa kohë për t’i shfrytëzuar dhe më pas i kanë bërë të tyret, atëherë po ia falim Partinë Demokratike, Lulzim Bashës dhe gjithë sërës së tij dhe përfundimisht t’i vejmë drynin kësaj partie dhe t’i vëmë drynin opozitës.

Duke qenë se unë e kam filluar me çantë shkolle në dorë në 8 Dhjetor të vitit ’90, pikërisht për këtë arsye unë e shikoj që ai nuk ka të drejtë që të jetë pronar mbi atë gur themeli që kam vendosur unë dhe të gjithë shokët e mi në ’90. Kjo është arsyeja që më shtyn mua sot, ajo nuk është prona e tij.

Lulzim Basha është sot më i dobët se kurrë, shihni turet elektorale që bën me 30-40 vetë gjithsej me salla të mbushura me fëmijë. Më lejoni t’ju pyes, a e dini se ku është? Ka 3 javë që nuk del në publik. Unë mendova mos na bënit ndonjë surprizë ta sillnit këtu, sepse nuk pranon të bëjë as debat publik. Ai duhet të jetë prezent sepse gara ime nuk është garë me Agronin ose Kadillin, gara është me Lulzim Bashën, sepse unë dua pronën e të parëve të mi dhe ai nuk mund të mbajë as vulën, as çelësin, sepse PD-ja sot për sot është marrë peng. /tvklan.al