Bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës

Shtrirja e bashkëpunimit të universitetit bujqësor të Tiranës me universitetin austriak BOKU ka bërë që kryeministri Edi Rama të udhëtojë për një vizitë 1-ditore drejt Vjenës. Kreu i qeverisë shqiptare tha se synimi i mandatit të tretë qeverisës është forcimi i bashkëpunimit me universitetet e huaja.

“Arsyeja se pse erdha unë këtu dhe po i jap një rëndësi të veçantë programit të ri të qeverisë që do të jetë një prej përparësive të mandatit tjetër që nis në shtator. Dhe kjo ka të bëjë me përpjekje për të krijuar sinergji mes universiteteve evropiane dhe atyre shqiptare”.

Rama tha se njehsimi i diplomave dhe afrimi i universiteteve të huaja në vend do të sillte një energji të re edhe për rajonin.

“E di që është një proces që nuk mund të ndodhë brenda një nate, por brenda kësaj dekade deri në vitin 2030 ne të kemi universitetet më të mira të europës që të jenë të pranishme aty. Pra që njerëzit të thonë unë dua të shkoj të BOKU, por nuk kam nevojë të largohem nga shtëpia e të lë vendin, thjesht shkoj në Tiranë dhe e kam BOKUN aty. Kjo është ambicia jonë. Kjo natyrisht mund të ndryshojë edhe paradigmën e Ballkanit perëndimor sepse pastaj e gjithë zona do të ketë një energji të re dhe të rinj të cilët do të vijnë”. 

Gjatë vizitës në Vjenë, Kryeministri Rama zhvilloi një takim edhe me ministren e Bujqësisë dhe Turizmit të Austrisë, Elisabeth Koestinger. Qëllimi i takimi ishte jo vetëm për të nxitur lidhjen me Universitetit austriak BOKU, por edhe për të diskutuar mbi bashkëpunimin bilateral në fushën e zhvillimit rural e turistik.

Tv Klan