Rektorët dhe dekanët që kanë plotësuar dy mandate nuk mund të rikandidojnë

Më 21 Qershor të gjitha universitetet publike do të zhvillojnë zgjedhjet për autoritetet e reja drejtuese.
Bazuar në dispozitat e ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor”, i cili parashikon zhvillimin periodik të zgjedhjeve çdo 4 vjet, Ministrja e Arsimit Ogerta Manastriliu ka shpallur datën e zgjedhjeve për autoritetet drejtuese dhe organet drejtuese në universitetet publike. Data e zhvillimit të zgjedhjeve do të jetë 21 Qershor 2024. Ato do të mbahen njëkohësisht në të gjitha universitetet publike në vend.

Normalisht fillimi i procesit zgjedhor nis një muaj para mbajtjes së zgjedhjeve, pra më 20 Maj. Brenda këtij afati të gjithë personat që duan të bëhen pjesë e garës për organet drejtuese të universiteteve duhet të vetëkandidohen. Rektorët e 12 universiteteve publike mund të kandidojnë për të mbajtur këto poste, pasi ligji i arsimit të lartë përcakton se “Mandati i rektorit zgjat katër vjet. Ai shërben në detyrë për një mandat, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë”.

Pra ligji ka përcaktuar se rektori, mund të shërbejë në detyrë jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë karrierës së tij akademike në të njëjtin institucion të arsimit të lartë. Mes rektorëve, që nuk mund të garojnë më në zgjedhjet e 21 Qershorit ëshët rektori i mjekësisë, Arben Gjata, rektori i Politeknikut Andrea Maliqari, si dhe rektorët e universiteteve të Vlorës, Elbasanit dhe Gjirokastrës pasi kanë bërë nga dy mandate. Ndërsa të drejtën të rizgjidhen e kanë rektori i universiteti të Tiranës, Artan Hoxha, ai i Bujqësorit Fatbardh Sallaku, por edhe rektorja e Universiteti të Durrësit Kseanela Sotirofski pasi kanë drejtuar për vetëm një mandat. Universiteti i Shkodrës, drejtohet nga zv.rektorja, pasi rektorja e zgjedhur Suzana Golemi është pezulluar për shkak se u filmua duke shitur provimet. Veç rektorëve zgjedhjet përfshijnë edhe 55 dekanë dhe 155 drejtues departamentesh, por edhe për senate akademike. Pjesë e zgjedhjeve në universitet janë personeli akademik dhe studentët. Por vota e studentëve llogaritet në masën 10% të totalit të përgjithshëm të votave.

Rektorët e universiteteve:

Universiteti i Tiranës, Artan Hoxha
Universiteti i Mjekësisë, Arben Gjata
Universiteti Politeknik, Andrea Maliqari
Universiteti Bujqësor, Fatbardh Sallaku
Universiteti i Sporteve, Agron Kasa
Universiteti i Arteve, Kastriot Çaushi
Universiteti i Durrësit, Kseanela Sotirofski
Universiteti i Elbasanit, Skënder Topi
Universiteti i Korçës, Dhimitri Bello
Universiteti i Shkodrës, Suzana Golemi (e pezulluar)
Universiteti i Vlorës, Roland Zisi
Universiteti i Gjirokastër, Bektash Mema

Klan News