Çmimi Best News Artist në këtë edicion të 22-të të festivalit Kënga Magjike, shkoi për grupin Urban Band me këngën “Edhe një natë”.

Emrin e fituesit e shpalli anëtari i jurisë së festivalit, Arben Skënderi.

“Kemi hasur një nivel shumë të lartë artistik tek gjithë kategoria New Artist këtë vit, ka qenë shumë e vështirë për ne deri në këtë moment që po e them unë. Tashmë vendimi është marrë, mua më duhet vetëm ta them. Po përfitoj nga rasti për një gjë të vogël. Do doja shumë dhe do donim shumë të gjithë që në vitet e ardhshme, që nga viti i ardhshëm, të shihnim të rinj me një energji tjetër, me një energji që i këndojnë jetës, dashurisë, një energjisë që i përkon brezit të tyre, të ardhmes së tyre, muzikës, artit dhe të kënduarit të jetës në këtë formë. Kemi vendosur që këtë vit çmimin e parë, çmimin New Artist, t’ia japim Urban Band”, tha Skënderi.

Djemtë e Urban Band triumfuan në mesin e 16 artistëve të rinj që konkurruan përgjatë dy netëve gjysmëfinale të këtij festivali.

Ndryshe nga edicionet e kaluara, “Kënga Magjike” nuk do të ketë çmime për të gjithë finalistët, por vetëm 3 çmime: Best New Artist, Best International Artist dhe sigurisht të gjithë në ethe për çmimin e madh, Kupën Magjike!/tvklan.al