Roja bregdetare franceze ka konfirmuar se pesë persona kanë ndërruar jetë në përpjekje për të kaluar Kanalin e La Manshit. Në mesin e viktimave përfshihen 1 fëmijë, 1 grua dhe 3 meshkuj.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm me kohën lokale, ndërsa viktimat ishin nisur me një varkë të vogël e cila kishte 110 persona nga një zonë pranë qytetit të Wimereux, Francë.

“Rreth orës 6 të mëngjesit të sotëm një varkë e vogël (me më shumë se 110 persona) u nis nga një zonë pranë qytetit të Wimereux”, njofton roja bregdetare.

Sipas informacioneve paraprake, dyshohet se 5 personat u mbytën si pasojë e një lëvizjeje të turmës së madhe në varkën e mbingarkuar.

“Pas një bllokimi fillestar në një breg rëre, anija u nis përsëri për në det. Një lëvizje e turmës me sa duket ndodhi në varkën e mbingarkuar, duke shkaktuar disa viktima”, thuhet në njoftimin e rojes bregdetare.

Akoma nuk ka informacione mbi identitetin dhe shtetësinë e viktimave. Lajmi vjen pas disa raportimeve të mëparshme nga gazeta lokale “La Voix du Nord” dhe Agjencia e Lajmeve AFP, ndërsa tanimë është konfirmuar nga burime zyrtare./tvklan.al