Flitej prej kohësh, por sot u zyrtarizua. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim do të vazhdojnë të zbatojnë marrëveshjen mes tyre për të qëndruar në opozitë së bashku, por në zgjedhjet e 25 Prillit do të hyjnë në garë të ndara.

Demokratët kanë krijuar një koalicion me disa parti të tjera të finalizuar këtë të mërkurë, ndërsa LSI-ja do të hyjë e vetme në zgjedhje. Këtë e konfirmoi në emisionin “Opinion” nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, sipas të cilit partia ku ai bën pjesë do të hyjë në garë si “në zgjedhjet e 2017-ës”.

Edhe pse me synime të qarta si aleatë opozitarë, Vasili u pyet nëse krijimi i dy listave do të krijojë përplasjeve mes bazave në zona të ndryshme elektorale. Por sipas nënkryetarit të LSI-së nuk ka asnjë rrezik që kjo gjë të ndodhë.

Blendi Fevziu: A rrezikon që dy lista mund të çojë në një përplasje për të marrë vota edhe brenda opozitës përveçse midis këtyre të dyjave dhe partisë socialiste, duke e ditur pak a shumë se kush është elektorati opozitar të ketë më shumë përplasje? Në bazë flas jo në të gjitha qarqet, sidomos në qarqet e vogla midis vetë opozitës.

Petrit Vasili: Absolutisht ky rrezik nuk ekziston sepse është e qartë që qoftë koalicioni që udhëhiqet nga PD-ja dhe qoftë te LSI-ja i kanë shumë të qarta targetet e tyre elektorale të cilat janë tradicionale, por edhe të reja sepse nuk janë parti që konkurrojnë sot për herë të parë. Kjo pyetje ka vlerë të veçantë për parti të shfaqura pak ditë më parë dhe praktikisht janë të gjitha për t’u testuar. Janë shumë të qarta se cilat janë objektivat dhe çfarë ka lexuar për 4 vitet 2017-2021 për hapësira të reja… Nuk ka asnjë mundësi për konflikte./tvklan.al