Shembja e objekteve që pengojnë zhvillimin e projektit për Unazën e Madhe ka vijuar edhe për gjatë të shtunës.

Fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, kanë hedhur në tokë, të tjera banesa përgjatë lotit 2 dhe 3 të Unazës së Madhe, në afërsi të “Astirit”.

Në të njëjtën kohë objekte të tjera, po bëhen gati për tu shembur. Pas një takimi informal që patën me kryebashkiakun Veliaj, disa banorë të “Astirit”, ranë dakord për të mos u bërë pengese për punimet.

Ata kanë nisur nga largimi i orendive dhe pajisjeve në banesa dhe biznese, për ti hapur udhë IMT, në shembjen e tyre.

Ndërkohe Autoritetit Rrugor Shqiptar, ALUIZNI, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, IKMT dhe Bashkia Tiranë kane përfunduar me verifikimin e objekteve që preken nga ky projekt. Sipas këtij raporti, në total do të prishen 195 objekte, një shifër më e ulët nga sa u raportua në fillim. Vetëm 71 kanë dokumente pronësie. ARRSH ka njoftuar se janë kryer matjet dhe verifikimet për 59 objekte që do të shpronësohen.

Paralelisht po dialogohet edhe me ata qytetarë objektet e të cilëve preken pjesërisht nga projekti.

Tv Klan