Një 38-vjeçar me origjinë shqiptare në Itali, ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit Covid-19. Ngjarja ka ndodhur në rajonin Molise më datë 7 Shkurt, por rasti është bërë publik sot nga shtypi italian.

Sipas mediave vendase, 38-vjeçari humbi jetën për shkak të mungesës së kushteve spitalore, pasi spitali ku ishte shtruar nuk plotëson kushtet për Covid.

Shqiptari, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, nuk vuante nga patologji të tjera, por gjendja e tij u përkeqësua për shkak të sëmundjes së Covid-19. Ai la pas gruan 25-vjeçare dhe dy fëmijët.

Kjo ngjarje ka shkaktuar reagim dhe polemika mes institucioneve italiane. Të gjithë pacientët me koronavirus të rajonit Molise në Itali, transferohen me helikopter në spitale të tjera Covid.

Por për shkak të mungesës së vendeve në kujdesin intensiv, fatkeqësisht 38-vjeçari humbi jetën duke mos marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor.

Kryetarët e Bashkive në rajonin Molise zhvilluan një konferencë virtuale pas kësaj ngjarje të rëndë, për të diskutuar masat që duhen marrë. Kërkesa e tyre urgjente ishte nevoja për më shumë shtretër dhe krijimin e hapësirave për pavionet Covid. /tvklan.al