Një tjetër pallat me banesa sociale do të nisë të ndërtohet prej muajit Janar, ku mund të strehohen familjet që preken nga zbatimi i projektit të Unazës së Madhe. Lajmin e bëri të ditur kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, gjatë vizitës në familjen Pira, të cilët pasi mësuan se prekeshin nga ky projekti pranuan të sistemoheshin në banesat sociale në Shkozë.

Ndërsa Drejtoresha e Përgjithshme e Shërbimit Social në Bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti, në një intervistë për Tv Klan, u shpreh se të gjithë banorët, objektet e të cilëve janë pa dokumente dhe preken nga projekti i Unazës së Madhe, mund t’i mbajnë banesat sociale pa afat kohor.

Ruseti thotë se falë një kontrate me Bashkinë e Tiranës, familjet mund t’i mbajnë banesat sociale përgjithmonë. Ndërsa ata banorë që zgjedhin bonusin e qirasë, përveç se mund ta marrin shtëpinë në cilën zonë e duan, pas 3 viteve mund të aplikojnë për banesa sociale, apo edhe kredi të buta nga Bashkia Tiranë.

Tv Klan