Debati për Teatrin e ri Kombëtar sipas kryebashkiakut Erion Veliaj nuk mund të frenojë ambicien e kryeqytetit për t’u modernizuar dhe ecur përpara. Teksa inspektoi punimet për korsitë e dedikuara në unazën e mesme të qytetit, Veliaj tha se projekti i Teatrit i jep një tjetër perspektivë zhvillimi Tiranës.

“…Tirana do të vazhdojë ritmin e modernizimit. Siç kishim debat për Parkun e Liqenit, ja ku është sot; siç kishim debat për Pazarin e Ri, ja ku është sot; siç kishim debat për sheshin “Skënderbej”, ja çmimet që po merr sot; siç kishim debat për Bulevardin e Ri, ja aksi i hapur për Tiranën e 50 viteve në vazhdim. Ashtu do të kemi edhe një Teatër të ri, do të kemi një Piramidë të re. Vënia dorë në qytet sjell progres, ndryshim, modernizim dhe prosperitet për Tiranën”.

Për kryebashkiakun ky është ritmi i punës për të cilin ka nevojë kryeqytetit që të zhvillohet.

“Fakti se edhe në vendin tonë me ekonomi modeste, arrijmë ta ngremë reputacionin e qytetit, do të thotë se gjërat i kemi vetë në dorë; kur bashkëpunojmë ecim përpara, kur pengojmë njëri-tjetrin, sigurisht që humbasim kohë të çmuar. Unë jam i bindur se Tirana nuk ka më kohë për të humbur, ndaj do të vazhdoj me modernizimin e qytetit”.

Korriku dhe Gushti do të jenë dy muaj intensivë në infrastrukturë . Në unazën e mesme e Tiranës do krijohen korsi të dedikuara për biçikletat dhe transportim publik, krahas rrugës për kalimin e automjeteve.

Tv Klan