Ata janë të dy gazetarë të mirënjohur, shumë të dashur për publikun por që i bashkon me njëri-tjerin jo vetëm profesioni, por edhe një pasion i përbashkët, ai i gatimit. Sot të ftuarit e parë këtë pasdite te “Rudina” në Tv Klan, ishin të ftuar Enkel Demi dhe Iva Tiço.

Ata gjithashtu kanë krijuar një blog ku publikojnë të gjitha recetat e tyre të gatimit.

Iva Tiço:

“Nuk ka lidhje fare me profesionin tonë. Asnjëri nga ne nuk është kuzhinier, asnjëri nga ne nuk ka asnjë specialitet. Jemi njerëz që kemi qejf ushqimin dhe në përgjithësi atë që gatuajmë për vete, e bëjmë relativisht me qejf. Kemi menduar që ta ndajmë dhe me të tjerët. Gjithmonë kemi pasur kërkesa, sa herë postonim ndonjë foto na kërkonin recetat”.

Enkel Demi:

“E kam pasur gjithmonë pasion gatimin, në fakt e kemi pasion të gjithë si shtëpi. Nuk është se bëjmë gjëra shumë të komplikuara, por kemi kuptuar të dy një gjë fare të thjeshtë, që njerëzit të cilët kanë dëshirë të gatuajnë, shkojnë shumë pas gjërave të thjeshta dhe recetave që kanë mundësi t’i aplikojnë”.

Të pyetur nga moderatorja e emisionit, Rudina Magjistari, se si lindi miqësia e tyre, Iva Tiço përgjigjet:

“Në fakt dje u kujtova që unë kam disa momente të miat që i kam të lidhura me Kelin. Dalja ime e parë televizive ka qenë në Kombinat Show, ku isha e ftuar, kam qenë në atë kohë gazetare në revistën Klan. Disa vite më pas Keli drejtonte C’est la vie dhe aty filloi karriera ime si “juriste”, ku unë isha pjesë e jurisë”.

/tvklan.al