Rreth 10o kilogramë kanabis janë sekuestruar nga Policia e Tiranës ndërsa në pranga ka rënë një person, një është shpallur në kërkim dhe një tjetër po ndiqet në gjendje të lirë.

Në operacionin e koduar “The Bridge” u arrestua 42 – vjeçari Xh. C. Në gjëndje të lirë është proceduar 16 – vjeçari B. C, ndërsa në kërkim është shpallur 23 – vjeçari A. S, ky i fundit i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim.

Të tre këta persona janë banues në Nikël dhe sipas policisë, në bashkëpunim me njëri – tjetrin, ata e ushtronin aktivitetin kriminal të shitjes së kanabisit, kryesisht në zonën e Kamzës.

Rreth orës 16:00, sqaron policia, në afërsi të Urës së Tapizës është konstatuar automjeti tip Mercedes Benz në të cilin ndodhej B. C , si dhe automjeti Fiat Scudo në të cilin ndodheshin Xh. C. dhe A. S.

Nga kontrolli i ushtruar janë gjetur dhe sekuestruar 6 thasë plasmasi me ngjyrë të zezë me kanabis. Ka qenë pikërisht gjatë ndërhyrjes policore, kur A . S ka mundur të largohet. Aktualisht efektivët po punojnë për kapjen e tij.

Ndërkohë, gjatë këtij operacioni u sekuestruan 102 kilogramë e 540 gramë kanabis, 5 aparate celularë të markave të ndryshme dhe 3 automje të markave të ndryshme./tvklan.al