Situata e zjarrit në afërsi të tunelit të Kalimashit duket se është më e qetë krahasuar me një natë më parë.

Gjatë gjithë natës kanë punuar forca të shuma zjarrfikëse dhe forcat ushtrisë dhe ato të emergjencave civile. Po ashtu në operacion kanë marrë pjesë dhe forcat zjarrfikëse të Kosovës dhe trupat e ushtrisë që kanë ardhur në ndihmë për shuar zjarret.

Sërish flakët po vijojnë të djegin bimësi, por sipas autoriteteve situata është e menaxhueshme dhe pritet që të ketë një ndërhyrje nga ajri për izolimin e plotë të zjarrit.

Një natë më parë zjarri në tunelin e Kalimashit, duke u ndihmuar dhe nga era pati një përhapje të madhe dhe doli jashtë kontrollit duke rrezikuar dhe banesat aty pranë.

Ndërkohë sot ka nisur dhe ndërhyrja nga ajri me një helikopter./tvklan.al

Haki Çako: U shmang katastrofa

Kreu i emergjencave civile, Haki Çako, është shprehur se situata në Kalimash vijon të jetë problematike, por të gjithë forcat janë të përqendruara në këtë zonë dhe flakët po vihen nën kontroll.

Në një intervistë për Klan News, Çako u shpreh se aktualisht po punohet vetëm nga toka, por nëse do të jetë e nevojshme do të ketë dhe ndërhyrje nga ajri. Po ashtu ai tha se deri tani nuk rrezikohen banesa, por nëse flakët do të dalin jashtë kontrollit do të bëhet dhe evakuimi i banorëve të zonës.

Cila është situata dhe sa problematike duket?

Situata tashmë është nën kontroll të plotë, ka qenë një natë shumë e vështirë, pasi është krijuar një ambient i vështirë në tunelin e Thirrës që është një komunikim . Ka pasur një angazhim të të gjithë struktura, qofshin ato të forcave të armatosura, por dhe të Prefekturës së Kukësit dhe të Lezhës, dhe fal angazhimit të tyre u shmang katastrofa. Tashmë jemi në një proces pune intensiv. Janë 4 vatra në pjesën e malit. Duhet të theksoj se puna do të vazhdoj, është një moment që duhet t’i inkurajojmë të gjithë.

Ka banesa që rrezikohen dhe a do të ketë evakuim të banorëve?

Në momentin po punohet dhe në bashkëpunim me forcat na Kosova, që i falenderojmë për gatishmërinë dhe profesionalizmin. Zjarri është në distancë nga qendrat e banuara dhe po mundohemi ta shmangim nga këto qendra dhe shpresojmë që të mos ketë një operacion të tillë, por nëse do të jetë e nevojshme do të merren të gjitha masat.

Prefekti i Kukësit: Nga flakët nuk rrezikohen banesat

Prefekti i Kukësit, Zenel Kucana, teksa ka folur për situatën e zjarrit në Kalimash është shprehur se banesat nuk rrezikohen nga flakët. Në një deklaratë për mediat, Kucana është shprehur se sot situata është më e qetë, pasi është punuar gjatë natës me mbi 10 zjarrfikëse.

Situata sot është më e qetë se dje. Falë ndërhyrjes kemi sot mbi 10 zjarrfikëse dhe po vazhdohet puna. Nuk ka banesa që aktualisht janë në rrezik”, u shpreh ai.

Prefekti deklaroi se ende nuk ka autor për zjarrvënie të qëllimshme, por shtoi se strukturat ligjzbatuese janë duke punuar për këtë gjë.

Organet ligjzbatuese po punojnë për të identifikuar çdo paligjshmëri dhe nuk mund të themi se cili është autori. Por një gjë është e sigurt, që zjarret nuk ndizen vetë. Vetëm nga dora e njeriut shkaktohet, ose në mënyrë të vullnetshme ose në mënyrë të pavullnetshme”, u shpreh Kucana.

Peleshi publikon pamjet nga helikopteri: Mbi tunelit e Kalimasht, tani larg flakëve dhe tymit

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka publikuar disa pamje nga tuneli i Kalimashit dhe shkruan se zjarri tashmë është vënë në kontroll.

Ministria nga një helikopter i ushtrisë tregon pamjet e zonës nga lart dhe shihet se flakët janë duke u shuar. Më tej ai falenderon forcat e ushtrisë së Kosovës që kanë ndihmuar në izolimin e flakëve.

Mbi tunelit e Kalimasht – tani larg flakëve dhe tymit. Pune heroike e zjarrfikësve, Forcave të Armatosura dhe pushtetit vendor.  Mirënjohje Falederim edhe për mbështetjen e trupave nga Kosova.

Ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj një shqiptar me vepraVazhdojmë punë për eliminimin e vatrave”, shkruan Peleshi./tvklan.al