Më të rëndët “gripi spanjoll” dhe HIV

Koronavirusi nuk është i vetmi me një shkallë kaq të lartë infektueshmërie dhe viktimash. Në 100 vitet e fundit historia njeh disa viruse që e kanë vënë njerëzimin në një situatë tepër të vështirë. Gripi spanjoll, i përhapur menjëherë pas fundit të Luftës së Dytë Botërore, konsiderohet si shkaktari i më shumë vdekjeve dhe infektimeve. Pas përhapjes në vitin 1918, gripi H1N1 që mendohet të jetë përhapur nga shpendët i mori jetën 50 milionë njerëzve dhe infektoi 500 milionë të tjerë, gati 1/3-ën e popullsisë globale. Shumica e të prekurve ishin të moshave 20-40 vjeç. Ky grip shkaktoi 3 valë infektimesh.

Pas tij renditet HIV-i, një virus që i ka marrë jetën mbi 32 milionë njerëzve dhe ka infektuar mbi 70 milionë të tjerë. Ky virus ka 4 dekada që qarkullon dhe shkencëtarët ende nuk kanë arritur të prodhojnë një vaksinë. Arritja më e madhe në luftën kundër këtij virusi janë ilaçet që kanë ulur numrin e vdekjeve. Shifra më e ulët e viktimave është shënuar 2 vite më parë, kur u shënuan 770 mijë viktima, ndërsa janë numëruar 38 milionë të infektuar, mes të cilëve 1.7 milionë fëmijë.

Viruse të tjera gripale janë përhapur masivisht dhe kanë shkaktuar shumë. Ndër to renditet H2N2, i përhapur në vitin 1957-n, fillimisht në Hong Kong e Singapor dhe më pas preku veçanërisht Shtetet e Bashkuara. Ky grip vrau 1 milionë njerëz, 10% e të cilëve në Shtetet e Bashkuara.

11 vite më pas u përhap H3N2, me një shkallë të lartë infektueshmërie dhe u mori jetën mbi 1 milionë njerëzve. Virusi ishte lidhej me pandeminë e 1957-s dhe pësonte mutacione të shpeshta, aq sa mjekët e patën të vështirë të gjenin një vaksinë. Shumica dërrmuese e viktimave të këtij virusi ishin mbi 65 vjeç. Ky virus qarkullon edhe sot si grip sezonal.

Tv Klan