Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Evis Kushi, u ka dërguar sot një mesazh  të gjithë studentëve për nisjen e vitit të ri akademik. Në një postim në mediat sociale, Kushi shprehet se ky është një vit  me shumë sfida për shkak të situatës së pazakontë nga COVID-19.

Komiteti i Ekspertëve ka propozuar së fundmi, që të paktën muajin e parë, mësimi të zhvillohet në distancë, pra “online”, në mënyrë që të frenohet përhapja e mëtejshme e virusit”, shkruan ajo.

Ministrja shprehet se ky vendim është imponuar nga  ecuria dhe dinamika e pandemisë, por  shton se universitetet janë të përgatitura që mësimdhënia të nisë dhe të zhvillohet pa ndërprerje.

Nga takimet e realizuara kohët e fundit me drejtuesit e universiteteve, jam informuar që janë marrë të gjitha masat e nevojshme që të kemi një nisje optimale në këtë fillim-viti akademik. Më vjen mirë që çdo universitet ka tashmë gati metodën e tij specifike të “mësimit të kombinuar”, si “online”, ashtu edhe në auditore kur kjo të jetë e mundur, në respekt të plotë të masave të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale”, shton ajo

Në fund u drejtohet të gjithë studentëve dhe u bën thirrje që në asnjë moment të mos neglizhojnë  respektimin e masave anti-COVID, pasi kjo është e vetmja mënyrë që ne ta kapërcejmë sa më lehtë këtë periudhë dhe t’i rikthehemi sa më parë normalitetit./tvklan.al