I duhen tre pikët e radhës për të qenë sa më larg zonës së rënies nga kategoria. Në takimin e javës së 28 Ernest Gjoka me Vllazninë e tij do të kenë përballë Lushnjën. Pak rëndësi ka për të se kundërshtari nuk ka më objektiva dhe konsiderohet e rënë nga Superliga, përqendrim maksimal pasi nganjëherë i mbyturi të mbyt.

“Asnjë nënvlerësim nuk ka në radhët tona për këtë ndeshje. Vllaznia e ka pësuar vjet, duke nënvlerësuar një skuadër, që kishte rënë nga kategoria. Edhe unë kur isha te Kukësi e pësova nga një nënvlerësim i tillë. Duke ditur këtë situatë, e kemi vlerësuar maksimalisht ndeshjen me Lushnjën dhe ky trepikësh ka shumë vlerë për ne.”

Ilir Gjyla i ka vënë nën trysni lojtarët e tij. Ai kërkon maksimumin e tyre dhe ka bindjen se ekipi i Lushnjës është në një situatë të barabartë me Vllazninë.

“Ne dimë që Vllaznia është ekip i fortë dhe ka moral të lartë pas fitores me Skënderbeun, por edhe ne nuk kemi çfarë humbasim. Morali i tyre i lartë, por le të themi që ne nuk kemi presion kështu që jemi në ekuilibër. Të fitojë kush e meriton.”

 Ndeshja tjetër e së shtunës do të jetë po aq delikate. Luftëtari pret në Gjirokastër Teutën.

 Tv Klan