Zbardhja e ngjarjes dhe arrestimi i 32-vjeçarit Charalambos Anagnostopoulos që akuzohet se ka vrarë gruan e tij Karolina 20 vjeç, ka bërë bujë të madhe në Greqi dhe jo vetëm.

Pasditen e sotme, Policia e Athinës doli në një konferencë shtypi dhe bëri me dije se bashkëshorti i të ndjerës është i dyshuari kryesor për momentin dhe është arrestuar. 32-vjeçari pilot akuzohet se ka mbytur gruan e tij 20-vjeçare.

Gjatë hetimeve për këtë ngjarje, në shtypin grek u tha se kishte dyshime që grabitësit e banesës të cilët vranë Karolinën të kenë qenë shqiptarë dhe gjeorgjianë.

Por ditën e sotme kanë vërshuar lum reagimesh në rrjetet sociale nga qytetarë të indinjuar që shprehin revoltën e tyre për krimin e shëmtuar.

“Fatkeqësisht, për shumë vetë, njerëzit e këqinj nuk duhet vetëm që të jenë të tillë, por edhe të duken që janë. Ai nuk ishte gjeorgjian, nuk ishte shqiptar, ai është grek, është pilot. Nuk e meritoje këtë fund Karolina”, shkruan një qytetar grek në rrjetet sociale.

Të shumta janë reagimet për këtë krim makabër që ka tronditur mbarë opinionin publik në Greqi dhe më gjerë. Burri i 20-vjeçares u akuzua si vrasës i gruas pas hetimeve shkencore të policisë greke. /tvklan.al