Gjykata italiane ka lënë në burg 51-vjeçarin Agim Ajdinaj, i dyshuar si autori kryesor i vrasjes së gruas marokene Bencheickh Khadija 46 vjeç. Ndërkohë, trupa gjykuese ka lënë të lirë duke vendosur detyrim paraqitje për nipin e autorit, Lisand Ruzhdija 27 vjeç.

Agim Ajdinaj ka pranuar autorësinë e vrasjes dhe u tha agjentëve italianë se gjithçka e kishte orkestruar ai vetë, duke liruar nga akuzat nipin e tij.

Ngjarja ka ndodhur më 30 Dhjetor në Verona. Trupi i pajetë i gruas marokene u gjet i ndarë në disa pjesë, pasi ishte dhunuar për vdekje duke u goditur me sende të forta në kokë.

Mediat italiane raportojnë se 51-vjeçari nga Fieri Agim Ajdinaj do të qëndrojë në paraburgim deri në përfundim të hetimeve si i dyshuari për vrasjen e 46-vjeçares, copëtimin dhe fshehjen e trupit të saj. Ndërsa nipi i tij akuzohej për bashkëpunim në fshehjen e kufomës shkatërrimin e kufomës dhe transportin e pjesëve të trupit. Ai do të hetohet në gjendje të lirë.

Nga ana tjetër, hetuesit kanë kontrolluar përsëri banesën e Agim Ajdinajt, i cili bashkëjetonte me gruan marokene të cilën dyshohet se e vrau gjakftohtësisht.

Autoritetet gjetën gjurmë të gjakut në shtëpi dhe në garazh duke u mundësuar atyre rindërtimin e skenës së krimit, të cilat i çuan drejt 51-vjeçarit shqiptar, si i dyshuari kryesor i vrasjes. Hetuesit besojnë se gruaja është vrarë kur ka qenë në gjumë dhe më pas trupi i saj i copëtuar u fsheh në një ullishte. /

tvklan.al