Në ditën e mbylljes së fushatës së Partisë Socialiste në Tiranë, kryeministri Edi Rama ka folur për ngjarjen e Elbasanit ditën e mërkurë ku humbi jetën një person dhe u plagosën 4 të tjerë. Rama tha se pas asaj që ndodhi është akoma më shumë krenar për patronazhistët e selisë rozë.

Ai u shpreh se Partia Demokratike është munduar që të dekurajojë patronazhistët. Ai u shpreh se selia blu pranoi “pa asnjë pikë turpi” se ka një grup të armatosur dhe të shpërndarë kudo.

Ai hodhi akuza ndaj opozitës dhe tha se ndalon njerëzit rrugëve me forca paramilitare si në vendet ku ka urrejtje dhe ndasi deri në kockë. Sipas Ramës, ngjarja tragjike e Elbasanit duhet që t’i bëjë qytetarët të mendojnë se çfarë do të votojnë më 25 Prill.

“Me lejen tuaj dua të përshëndes Zahon nga këtu sepse donte të vinte. Por Linda i tha ‘Zaho nuk mund të shkosh atje se nuk voton’. Dhe Zaho tha “ Kur do votoj unë”. “Do votosh kur të rritesh”. “Po mirë kur unë të rritem ti do më votosh mua”, i tha të ëmës. Nuk i thashës Zahos që për të shkuar në këtë stazh duhet të bësh shumë patronazhime. Dua ta filloj sot me patronazhistët, me të gjithë vajzat e djemtë, gratë e burrat dhe të gjithë ata që megjithëse kanë dalë në pension, nuk heqin dorë nga kjo punë fisnike brenda familjes sonë. Unë kam qenë gjithnjë krenar për ju, por pas asaj që ndodhi dje në Elbasan unë jam më shumë se kurrë krenar për ju. Ata bënë çmos që t’ju lëndojnë bëjnë çmos që t’ju cenojnë. Ata bëjnë çmos që t’ju dekurajojnë. Ata madje bënë çmos që t’ju poshtërojnë. Dhe ka Zot. Ka Zot sepse ata që i bënë të gjitha ato kundër jush dolën zhveshur po jo si unë zhveshur, se ashtu s’dalin dot as ashtu, por dolën zhveshur në të gjithë përmasën e karakterit të tyre kur pa pasur asnjë pikë turpi asi e gjithë Shqipëria u trondit nga humbja e një jete morën përsipër t’u thonë shqiptarëve se po ata e kanë një grup të armatosur, të shpërndarë kudo. Unë besoj se sot, kush ende nuk e ka kuptuar diferencën e madhe mes jush dhe atyre, mes nesh dhe të gjithë atyre duhet t’i vërë gishtin kokës fort për fëmijët e tij.

Të turresh rrugëve për të ndaluar njerëzit sikur je një forcë nga ato forcat paramilitare në vende ku frika e urrejtjes dhe ndasisë është futur deri në kockë dhe pasi ndalon njerëz të lesh pas edhe viktima do të thotë që për ty njerëzit janë njerëz vetëm kur futen në autokolonën tënde ndërsa jashtë nuk kanë asnjë vlerë. Ky episod kaq tragjik duhet t’i bëjë të gjithë shqiptarët pa dallim, të zgjohen dhe të kujtojnë se çfarë i kanë bërë Shqipërisë prej 30 vjetësh po këta. Të zgjohen dhe të kujtojnë se në çfarë humnerash e kanë hedhur këta Shqipërinë. Të zgjohen dhe të kujtojnë se sa herë ka pasur viktima dhe plagë të shkaktuara nga robi, ato lidhen me ta. Sot të jesh i djathtë, apo të jesh kundër nesh është gjëja më e natyrshme. Por nëse sot si kundërshtar i yni ti ia do të mirën asaj force që ende sot e mban demonin brenda, ti duhet ta çlirosh atë nga demoni duke e braktisur më 25 Prill”, tha Rama. /tvklan.al