Artan Cuku, ish – Drejtori i Policisë së Vlorës është vrarë këtë të shtunë me armë zjarri në Tiranë.

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:00 në “Rrugën e Kosovarëve”, pranë Liqenit Artificial në kryeqytet. 

Cuku është qëlluar me armë zjarri në hyrjen e pallatit, teksa po futej për në ashensor. Më herët 42 – vjeçari kishte qenë i ulur në një lokal aty pranë.

Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë dyshohet të kenë qenë dy persona. Ekzekutori i Cukut, një person rreth 1.70 i gjatë ka qenë i kamufluar dhe është larguar me biçikletë.

Duke përfituar nga errësira ata kanë arritur të largohen në rrugicat dytësore, të cilat lidhen me stadiumin Dinamo dhe sheshin Willson.

Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policore, ndërsa janë ngritur disa pika kontrolli me qëllim kapjen e autorëve.

Foto nga vendngjarja

Artan Cuku lindi më 25 Janar të vitit 1975, në Lurë të Dibrës dhe është baba i dy fëmijëve.

Me një karrierë 16 – vjeçare, Cuku e mbajti detyrën e Drejtorit të Policisë së Vlorës nga viti nga 2012 deri në 2013 -ën. Cuku ka qenë gjithashtu Nëndrejtor i Policisë së Tiranës për Krimet e Rënda, nga viti 2009 deri në vitin 2011.

Ai ka qenë edhe shef i Antitrafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Vlorës, shef krimesh në Tiranë, Shkodër, Fier.

Ndërsa sëfundmi, Cuku ishte angazhuar në policinë private të vëllezërve të tij

“International Security”

.

Në vitin 2005, kur Cuku ishte Shef Krimesh në Komisariatin Nr 4 në Tiranë, një i ndaluar vrau veten gjatë kohës që po merrej në pyetje, me armën e Cukut, duke ia marrë nga brezi. Kjo ngjarje çoi në pezullimin e tij nga kjo detyrë./tvklan.al