Presidenti serb takohet me krerët e Bashkimit Europian

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se pret të vazhdojë dialogun me Kosovën në mes të muajit Maj. Ai i bëri deklaratat pas takimit në Bruksel me përfaqësuesin e posaçëm europian për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Natyrisht Serbia do t’i përgjigjet thirrjes për dialog dhe ne do të marrin pjesë në çdo lloj dialogu. Do të dëshironim që ai të ishte konstruktiv dhe të flasim për zgjidhjen e problemeve. Do të shohim si do të shkojë procesi”, tha Vuçiç.

Kreu serb shpreson që problemet e tanishme të “zgjidhen shumë shpejt”.

“Për është e rëndësishme që të garantojmë siguri për njerëzit tanë, të zgjidhim problemet dhe ajo për të cilën insistova, është zbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Brukselit, pra Bashkimi i komunave me shumicë serbe dhe liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve, për të cilat kemi nënshkruar në Washington”, u shpreh Vuçiç.

Në Bruksel ai u prit nga presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen dhe shefi i diplomacisë, Josep Borrell.

Më pas radhën për të takuar krerët e Bashkimit Europian do të ketë kryeministri i Kosovës Albin Kurti. Pas fitimit të zgjedhjeve ai tha se do të fokusohet tek çështjet e brendshme, siç është pandemia e koronavirusit dhe lufta ndaj korrupsionit, ndërsa dialogu me Beogradin do të kalojë në plan të dytë.

Klan News