Vuçiç: Serbia ka përgatitur masa ndaj Kosovës

Vuçiç: Serbia ka përgatitur masa ndaj Kosovës

17:31 24/05/2019

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se në takimin e Parisit, më 1 korrik, nuk do të ketë kurrfarë bisedimesh për statusin e Kosovës, në rast se nuk hiqet taksa prej 100 për qind, të cilën Qeveria e Kosovës e ka vendosur ndaj importit të mallrave të Serbisë.

Deklaratën e tillë, Vuçiçi e ka bërë gjatë një konference për media, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

“Pra, hiqni taksat dhe do të bisedojmë për çfarëdo që të doni. Nëse nuk i hiqni taksat, do të bisedojmë për motin e mirë apo të keq. Për dialogun nuk do të ketë bisedime derisa ta dini ligjin dhe derisa nuk filloni t’i respektoni normat e së drejtës ndërkombëtare publike. Kjo do të jetë porosia për kancelaren gjermane (Angela Merkel) dhe për presidentin francez (Emanuel Macron), me dëshirat më të mira që dialogu në të ardhmen të ketë sukses”, ka thënë Vuçiç.

Ai, gjithashtu, ka theksuar se me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës ka biseduar për masat që shteti i Serbisë do t’i zbatojë, në rast se Qeveria e Kosovës nuk e heq taksën ndaj mallrave të Serbisë.

“Kemi përgatitur masat dhe do të shohim që ato masa të mos i godasin serbët e Kosovës. Për këtë shkak, ato masa janë me karakter të kufizuar, por disa masa që i kemi përgatitur janë tepër të fuqishme dhe të mprehta. Nuk do t’i zbatojmë ato deri në përfundimin e takimit në Paris. Detyra ime në Paris është që t’i njoftoj përfaqësuesit e Evropës, pra, Gjermaninë, Francën dhe kancelaren Merkel dhe presidentin Macron, për përgjigjen e Serbisë pas 9 muajve të taksave anti-civilizuese dhe të paligjshme”, është shprehur Vuçiç.

Ai e ka uruar Listën Serbe për fitoren e kandidatëve të saj në zgjedhjet për kryetarë të katër komunave në veri të Kosovës,dhe siç ka thënë ai ‘që kanë arritur ta ruajnë unitetin” e popullit serb në Kosovë.

Vuçiç i ka komentuar edhe paralajmërimet se fituesit e zgjedhjeve për kryetar të katër komunave të veriut të Kosovës, Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore, janë të gatshëm të japin sërish dorëheqje.

“U kam thënë që ta bëjnë punën e tyre dhe të mos nguten. Ne po përgatitemi që t’ju njoftojmë me vendimet tona pas Parisit. Unë e di që plot njerëz në Kosovë i presin gabimet tona fatale, në mënyrë që ta kapin veriun”, ka thënë Vuçiç.

Marko Gjuriç, shef i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka theksuar se kryetarët e zgjedhur të komunave të veriut, do t’i ushtrojnë funksionet e tyre derisa nuk paraqiten pengesat për ta.

“Kjo do të ndodhë vetëm deri në qoftë se nuk pasojnë presionet e reja politike, ekonomike dhe të sigurisë, të cilat veprimin e tyre në ato pozita do ta bënin të pakuptimtë. Në atë rast, natyrisht që ata do t’i braktisin pozitat e tyre”, ka thënë Gjuriç.

Ai ka shtuar se në takimin me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, atyre u është ripërsëritur qëndrimi se shteti i Serbisë, me të gjitha mjetet në dispozicion do ta mbrojë popullin serb në rast të rrezikimit të dhunshëm të sigurisë së tij dhe të mbijetesës në Kosovë.

Në takimin me presidentin e Serbisë, Vuçiç, kanë qenë të pranishëm lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq dhe nënkryetari i kësaj partie, Dalibor Jevtiç. Në mesin e të pranishmëve ka qenë edhe Milan Radojçiq, i cili kërkohet nga autoritetet e Kosovës, për shkak të dyshimit për përfshirjen e tij në rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviç, në janar të vitit 2018.

Takim i formatit të njëjtë, herën e kaluar ishte mbajtur më 27 shkurt, pasi që liderët politikë të serbëve të Kosovës kishin vendosur të bojkotojnë institucionet e Kosovës./REL

LAJMET
Të ngjashme
Delta

UKT