Policia e Shkodrës ka zbardhur ngjarjen që ndodhi në Velipojë mbrëmjen e së enjtes, ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri. Dy persona janë arrestuar si të dyshuar të përfshirë, F.P. 28 vjeç dhe A.F. 30 vjeç.

Nga hetimet e uniformave blu ka rezultuar se këta të fundit tentuan të vrisnin me armë dy persona I.H. 31 vjeç dhe G.M. 36 vjeç pranë një restoranti.

Gjatë konfliktit, shtetasi I. H. u kundërpërgjigj me armë duke qëlluar me pistoletë mjetin e shtetasit F. P., me të cilin po largoheshin të dy autorët. Ndërsa shtetasi G. M. u plagos lehtë dhe pas marrjes së ndihmës së parë është larguar në banesë.

Dy autorët që qëlluan me armë, u arratisën në drejtim të pyllit pas ngjarjes, por u arrestuan nga policia brenda pak orësh. Gjatë kontrollit atyre u janë gjetur edhe disa doza lëndë narkotike.

Për këtë ngjarje, policia ka shpallur në kërkim shtetasin me iniciale I.H., i cili ju kundërpërgjigj me pistoletë dy autorëve. Ai akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. /tvklan.al