Prokurorët amerikanë kanë akuzuar një ish-oficere të Forcave Ajrore të SHBA-së për spiunazh. Monica Witt ka spiunuar agjentë të fshehtë amerikanë për llogari të Iranit. Katër qytetarë iranianë janë akuzuar gjithashtu për tentativën për të instaluar programe spiunazhi në kompjuterët e kolegëve të Monica Witt.

Sipas FBI, gruaja është parë për herë të fundit në Azinë jugperëndimore në Korrik të vitit 2013. FBI pati deklaruar më herët se ajo punonte si mësuese anglishteje në Afganistan ose Taxhikistan. Monica Witt banonte në Teksas dhe kishte punuar në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nga viti 1997 deri në vitin 2008.

“Është ditë e trishtë për Amerikën kur një nga shtetasit e saj tradhëton vendin tonë

“, tha për AP News John Demers, kreu i Departamentit të Sigurisë Kombëtare në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. Autoritetet amerikane kanë vendosur sanksione edhe ndaj dy kompanive iraniane. Hetuesit konfirmojnë se Monica Witt ishte rekrutuar nga Irani pasi kishte marrë pjesë në dy konferenca që janë zhvilluar në Iran dhe Irak. Zyrtarët amerikanë thonë se në këto konferenca shpesh kishte një ndjenjë kundër Perëndimit.

Në vitin 2008, Monica Witt u largua nga ushtria amerikane dhe u zhvendos në Lindjen e Mesme ku u përfshi në operacione sekrete. Ajo është akuzuar se ka nxjerrë informacione konfidenciale të qeverisë amerikane, duke përfshirë emra të agjentëve dhe specifika të operacioneve. Këto të dhëna ajo ia ka shërbyer Iranit që prej Janarit 2012. Pretendohet se gjatë qëndrimit në Iran ajo u konvertua në fenë islame.

/tvklan.al