Shkencëtarët: Rrezikohet një pandemi e re

Si të mos mjaftonte koronavirusi që po shton me ritme të shpejta infektimet dhe viktimat në gjithë globin e që po le pasoja të rënda në ekonomi, shkencëtarët amerikanë i druhen rrezikut të një tjetër pandemie. Bëhet fjalë për një lloj të ri gripi shumë ngjitës që është zbuluar tek derrat në Kinë. Virusi mund të prekë edhe njeriun dhe mund të pësojë mutacion për t’u përcjellë mes njerëzve.

Shkencëtarët kanë publikuar të dhëna nga studimi i tyre në revistën online të Akademisë së Shkencave të Shteteve të Bashkuara, ku thuhet se ky virus prek dhe shumëfishohet në qelizat e rrugëve të frymëmarrjes tek njeriu, ashtu si COVID-19. Ata janë të shqetësuar pasi siç thonë, njerëzit janë të papërgatitur sepse nuk e kanë të zhvilluar imunitetin ndaj këtij gripi, ashtu siç ndodh me viruset e rinj.

Për momentin, ky virus nuk përbën rrezik përhapjeje, por shkencëtarët u bëjnë thirrje autoriteteve të marrin masa për të kontrolluar virusin tek derrat dhe të mbikqyrin nga afër punonjësit e industrisë së përpunimit të mishit të derrit. Gripi i derrit i përhapur në 2009, megjithatë nuk rezultoi aq i rrezikshëm sa ç’parashikohej.

Tv Klan