4 persona kishin krijuar laborator në një apartament të marrë me qira

Banesa është marrë me qira 6 muaj më parë nga Ervin Shametaj, kohë e cila ka nisur dhe me përshtatjen e ambientit për rritjen e kanabisit në kushte laboratorike.

30-vjeçari kishte gjetur një zonë në afërsi të kopshtit botanik në një bllok pallatesh në ndërtim, ku dhe lëvizjet e qytetarëve janë të pakta.

Ambienti ishte përshtatur me profile dërrase, duke krijuar kushtet e duhura për të ngrohur bimën narkotike të cilën e nxirrnin në treg në një kohë shumë të shkurtër. Laboratori është zbuluar pasi një nga autorët ishte ndaluar nga policia, me mjetin e tij duke shpërndarë lëndë narkotike në rrugët e kryeqytetit dhe më pas agjentët e policisë kanë rënë në gjurmë edhe të vendit se nga ku merrej kanabis sativa.

Banorët jashtë kamerës shprehen se nuk kishin krijuar dyshime pasi banesa ishte izoluar totalisht.

Policia e Tiranës ka vënë në pranga 30-vjeçarin Shametaj, që kishte marrë me qera shtëpinë, Gerhard Durin 37-vjeç, Skënder Ismailin 44-vjeç dhe një të ri të moshës 17-vjeçare.

Gjatë kontrolleve në ambientin ku u krye operacioni i koduar “Kimisti” policia sekuestroi fidanë dhe fara kanabisi, një peshore elektronike, dy automjete dhe sende të tjera të kundraligjshme.

Klan News