Zgjedhjet e 25 Prillit, Rama nga Shkodra: Opozita do të ketë humbje më dinjitoze se në 2017



Zgjedhjet e 25 Prillit, Rama nga Shkodra: Opozita do të ketë humbje më dinjitoze se në 2017

16:26 18/03/2021

Nga Shkodra, ku kryesocialisti Edi Rama prezantoi kandidatët, u shpreh i bindur për fitoren e Partisë Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit, kur tha se “opozita do të ketë një humbje më dinjitoze se në zgjedhjet e vitit 2017”.

Në këtë aspekt, Rama u shpreh se opozita do të rifitojë një pjesë të votave që humbi në zgjedhjet e kaluara, por që sipas tij, nuk do të jenë të mjaftueshme për të dalë fitimtar.

Duke komentuar takimet elektorale të Partisë Demokratike, Edi Rama bëri thirrje që të respektohen rregullat kundër Covid-19, duke pasur parasysh këtu pritjet që i bëhen Lulzim Bashës nga simpatizantët.

“Në këtë situatë bëhen shfaqje gjoja si spontane me ulëritësa që vijnë aty për të ngritur gishta edhe me dhëndrin që hipën mbi makinën e dasmës. Këto janë skena që nuk i takojnë një force poliitkë që e ka seriozisht të qenurit alternativë e vendit. Ne nuk mund të asgjësojmë efektet e virusit, ne jemi të detyruar që të ecim në një ekuilibër mes masave shtrënguese dhe nevojës së njerëzve për të punuar për të mos e ndaluar frymëmarrjen, dhe jemi të detyruar që të ulim kokën me keqardhje kur shohim se humbasim jetë njerëzish, por nuk mund të jemi me virusin as me vetëdije as pa vetëdije për të bërë luftë politike, për të bërë fushatë elektorale. Kjo është e neveritshme. Gjasat që kjo të ndryshojë janë thuajse zero. Por një gjë di po ashtu, që të përsëritësh të njëjtën gjë dhe të presësh rezultat tjetër është karakteristikë e budallenjve. Nuk besoj që budallallëku të jetë deri në atë nivel saqë mos ketë asnjë reflektim, prandaj përsëris apelin, bejeni fushatën se për të humbur keni, sigurisht do keni humbje më dinjitoze se ajo e mëparshmja se do arrini të merrni mbrapsht një pjesë të atyre skllevërve që do rikthehen në shtëpi, por mos harroni që kush e ka mundësinë të shfaqet në publik të tregojë përgjegjshmëri në raport me rregullat që kemi vënë”, u shpreh ndër të tjera Edi Rama. /tvklan.al







Të ngjashme