Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka njoftuar sot se po hetohet të gjitha denoncimet që janë bërë lidhur me procesin zgjedhor. SPAK në një njoftim për mediat, siguron të gjithë denoncuesit se hetimet do të kryhen me përparësi, deri në sqarimin e plotë të rrethanave.

Kushdo që ka të dhëna, fakte apo çdo gjë që mund të ndihmojë në sqarimin e rrethanave të fakteve të kallëzuara është i mirëpritur t’i paraqesë në Prokurorinë e Posaçme, duke i garantuar se do vlerësohen me seriozitetin e duhur dhe do i nënshtrohen hetimit të plotë“, shton struktura e posaçme.

Aktualisht në Prokurorinë e Posaçme janë në hetim 33 procedime penale, të cilët janë regjistruar: 27 procedime penale për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 Kodi Penal; 2 procedime penale për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Korrupsioni pasiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 328 dhe 328/b Kodi Penal.

2 procedime penale për veprën penale “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, parashikuar nga neni 328/a Kodi Penal. (E lidhur me subjekte në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme); 1 procedim penal për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, parashikuar nga nenet 248 dhe 328 Kodi Penal; 1 procedim penal për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” dhe “Përhapja e sekreteve vetjake”, parashikuar nga nenet 328 dhe 122 Kodi Penal./tvklan.al