Absurdi në Durrës: 22 katëshi i banueshëm, por s’mbajnë themelet! Stop i vë shiritin

Dëmet nga tërmeti kanë bërë, që shumica e ekspertëve të kthejnë sytë nga cilësia e punimeve të ndërtesave shumëkatëshe. Një prej ndërtesa problematike është edhe pallati 22 katësh, në Durrës, me ndërtues Enver Shala. Ky pallat ndodhet në lagjen numër 3 në rrugën “Egnatia” dhe pas tërmetit, një akt-konstatimi e nxjerr atë të banueshëm nga njëra anë, por nga ana tjetër themelet e tij nuk mbajnë 22 kate.

Banorët janë të trembur dhe tregojnë se në 2005-n projekti ka qenë për 12 kate, por pastaj ndërtuesi mori leje për 3 kate të tjera dhe më pas i shtoi edhe 7.

“Ne këtë problem e kemi pasur përpara tërmetit. Në 2005-n kam hyrë në shtëpi në katin e 8, kur projekti ishte për 12 kate, u shtuan 3 që u bënë me leje, 15. pas kësaj u shtuan edhe 7 të tjerë dhe vajti në 22 kate. Në periudhën e tërmetit kemi kaluar një tmerr që nuk llogaritet. Shtesa që është mbi atë të na hiqet”, thotë një banore.

“Bashkia ka tentuar të shembë katet shtesë dhe na është thënë që nuk kemi fonde dhe teknologji që të realizojmë këtë gjë. Ka kosto të larta. Unë do shtroj një pyetje: Sikur të shembet ky pallat dhe të vdesin njerëz, kush është kosto më e madhe?”, shton një banor.

Në akt konstatimin e ekspertëve thuhet se pallati është i banueshëm, megjithatë në të thuhet gjithashtu se themelet nuk janë të mjaftueshme për 22 kate. Si e kuptojnë banorët këtë?

“Nuk e kuptoj. Specialistët nuk dhanë asnjë përgjigje, ikën. Sot shkova në Bashki, komunikova me ata edhe u thashë, a banohet aty? Aty banohet thanë, por ajo shtesa lart do hequr. Duhet mbajtur një parashutë me vete domethënë kur të bjerë tërmeti”, shprehet banori.

“Ne duam një garanci, të rrimë apo të mos rrimë”, thotë një banore tjetër.

Por çfarë dëmesh ka shkaktuar ky tërmet?

“Ky tërmet ka shembur muret e brendshme, i ka çarë të gjitha. Kjo vjen e gjitha nga mbipesha që ka pallati, sepse janë bërë 7 kate pa planimetri”, thotë një banor për gazetaren e Stop. Të dy së bashku ata inspektojnë pallatin, i cili ka pësuar dëmtime të rënda në çdo kat.

Ndërkohë në Zyrën e Urbanistikës, Bashkia Durrës, përgjegjësja nuk flet, por shtyn kamerën dhe mbyll derën.

Gazetarja-Pallati del i banueshëm, por themelet janë të pamjaftueshme për 22 kate.

Përgjegjësja-Po është i qartë. Tani çfarë do…?

Gazetarja-Si është i qartë? Është edhe i banueshëm edhe i pabanueshëm 22 kate?

Përgjegjësja-Ma hiq atë zotërinë, se ma hoqi trurin. Del njëçikë jashtë, të sqaroj një cikë këtë gazetaren? Ti del pak jashtë?

Gazetarja-O zonjë! A je përgjegjësja e zyrës urbanistike?

Përgjegjësja-Do me të sqaruar shoqërore, apo jo? Unë nuk jam e detyruar të të jap… nuk jam as e autorizuar.

Gazetarja-Je e detyruar, sepse ke një post publik aty.

Përgjegjësja-O zonjë! Më bëj një shkresë zyrtare, të të kthej përgjigje! Keni dalë për “gjueti shtrigash”, kam 16 orë, që punoj….

Përgjegjësja-Nuk jam e autorizuar të të jap intervistë.

Ish-drejtori i Urbanistikës Adhurim Qehajaja shprehet se për këtë rast ka pasur një vendim të këshillit bashkiak për prishje, por nuk dihet se pse ky vendim nuk u ekzekutua.

Adhurim Qehajaja-Leja miratohet me kondicione urbane. Nëse ti del nga kushtet e lejes dhe në aktet e kontrollit ne konstatojmë atë punë, ne thërrasim Inspektoratin, i cili ka masat penalizuese deri në prishje, deri në gjoba etj. Unë di, në atë kohë është bërë një relacion për këtë objekt i kërkuar nga Kryetari i Bashkisë dhe u dërgua në Këshillin Bashkiak. Këshilli Bashkiak nuk e miratoi fondin, që u alokua domethënë, u preventivua në atë kohë nga inxhinierët, që sa lekë duhen për të prishur këtë objekt këtu. Në atë kohë nuk u miratua nga Këshilli Bashkiak me pretendimin, sepse aty ka inventarizimin e shinave të trenit, se është baza hekurudhore, nuk lejoheshin. Nuk donin me e bë.

Ndërsa Agron Hysenlliu, Drejtor i Institutit të Ndërtimit, shprehet se akt-konstatimi është absurd, pasi u thuhet banorëve që pallati është i pabanueshëm dhe në të njëjtën kohë, që themelet nuk mbajnë 22 kate. Pasi gazetarja e “Stop” vuri në dijeni Institutin e Ndërtimit, 4 grupe ekspertësh nga Universiteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Universiteti i Prishtinës shkuan tek pallati për të bërë një akt-ekspertizë.

“Në këtë akt konstatim, ata kanë shprehur se themelet në objekt nuk mjaftojnë për 22 katet. Për mua është pak absurde. Ata që e kanë thënë këtë duhet të bëjnë matje dhe matjet në themel nuk i bën dot, sepse themeli ka një lartësi të caktuar të veten, por ka hekurin brenda që edhe kjo do konstatuar dhe kjo është në një fazë të dy. Që në më momentin që komunikuam bashkë kam çuar një grup që janë profesorët e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, që janë me grada shkencore të gjithë, që do të bëjnë konstatimin edhe ata për këtë që është shkruar këtu, që themelet mbajnë, apo nuk mbajnë. Në momentin që do të japin një verdikt, ose do të dalin jashtë njerëzit ose do të rrinë brenda”.

Duke qenë se koha e vënë në dispozicion ishte vetëm 2 orë, akt-ekspertiza nuk qe e mundur të bëhej, por u bë një tjetër akt-konstatimi, i cili hodhi poshtë aktin e parë, sepse nga i banueshëm, ky pallat rezultoi i pabanueshëm.

“Sot erdhëm për të bërë jo akt-ekspertizë që i takon fazës së dytë. Akti i ekspertizës për këtë objekt, mund të ketë nevojë për 2 javë kohë, jo për 2-3 orë. Ky objekt ka ngjyrë portokalli, që do të thotë është i pabanueshëm. Dëmtimet i ka shumë të rënda jo strukturale, siç janë muraturat ndarëse, kanë pësuar dëmtime të rënda, veçanërisht në katet e sipërme, ku vërtetë nuk janë të banuara sepse akoma nuk janë përfunduar, por muraturat janë përfunduar, edhe janë suvatuar, kështu që dallohet sesa shumë të dëmtuara janë, veçanërisht në katin ku ka filluar shtesa e kateve”, tha për Stop inxhinieri Agim Seranaj.

Pas kësaj efektivët e policisë i vunë shiritin pallatit në fjalë.