Opozita denoncon rastin në Shijak, Rama: Kemi mbajtur premtimin

Kjo e hënë shënon 1 vit nga tërmeti i fuqishëm i 21 Shtatorit që la pasoja të mëdha duke dëmtuar dhe shkatërruar banesa të tëra në Tiranë dhe Durrës.

Për qeverinë, gjatë kësaj periudhe 1-vjeçare janë strehuar të gjitha familjet e prekura nga ai tërmet. Në një video të postuar në rrjetet sociale në faqen e kryeministrit Edi Rama thuhet se vetëm në Tiranë janë 65 familje që kanë hyrë në shtëpi të re.

Mirëpo nga ana tjetër, opozita vijon të denoncojë sipas saj rastet e abuzimit me rindërtimin nga tërmeti i 21 Shtatorit. Shefi i kabinetit të kryedemokratit Basha, Dorian Teliti, ka qenë në Shijak, në shtëpinë e Shpëtim Shahinit.

Ky i fundit ka treguar se shtëpia e tij ka pësuar dëmtime të mëdha në tërmetin e 21 Shtatorit. Në vlerësimin e parë, inxhinierët e kishin nxjerrë për shembje, ndërsa në vlerësimin e dytë i kanë thënë që është për DS3.

Qytetari ka treguar se ndihet i pasigurt që të futet në shtëpi dhe shprehet se është futur në borxh për të mbyllur dokumentet për banesën në mënyrë që të përfitojë dëmshpërblimin.

Shpëtim Shahini: Quhem Shpëtim Shahini, jam banor i fshatit Shahinaj, Njësia Administrative Gjepalaj. Kam një ankesë që më tako me e bërë. Që tërmetin e parë në shtator që u tund shtëpia erdhën, bëmë dosjen gati tu marr shpërblim. Prit shpërblim s’ka, iku shtatori. Erdhi nëntori, më i fuqishëm. Erdhën e panë, këmbëngulën me e bo për shembje se fatkeqësisht ju e shihni.

Dorian Teliti: Pra, nuk t’i kanë dhënë lekët që të takojnë?

Shpëtim Shahini: Jo s’i kanë dhënë!

Dorian Teliti: Sepse thonë, paguaj përpara detyrimet që ti ke?

Shpëtim Shahini: Po, po, kusht!

Dorian Teliti: Taksat që ti ke?

Shpëtim Shahini: Po, po, po, kusht! Shkova i qava hallin.

Dorian Teliti: Shpëtim, me sa veta jeton në familje?

Shpëtim Shahini: Unë jam vetë i 5-ti, nusja, çuni dhe dy pleqtë. Pleqtë janë të sëmurë, i kam 80 vjeç, 75-85, me ilaçe janë.

Dorian Teliti: Kush fle në këtë dhomë këtu që muri është…

Shpëtim Shahini: Këtu është çuni.

Dorian Teliti: Këtu fle djali?!

Shpëtim Shahini: Po, po deshe shkojmë te dhoma e pleqve, ta shihni me sytë tuaj, ka rënë tavani në tokë.

Dorian Teliti: Pra, djali fle me këtë murin e çarë te koka?

Shpëtim Shahini: Këtu, këtu. Na ka ardhur DS3, çfarë do bëj unë më 5 milionë lekë kur 1 milion e 300 mijë unë i kam bërë harxhime. Duhet të zbriten këto se unë s’kam lekë, unë lekët i kam marrë borxh. Me inxhinierë, me taksën, me noterë, me rrugë, me shkuan 1 milion e 300 mijë lekë.

Dorian Teliti: I ke marrë borxh këto lekë?

Shpëtim Shahini: Borxh o vëlla, t’i jap me emër po deshe, po s’besove. Si qe kjo punë kshtu ore. Më thuaj ti mua si qe kjo punë kështu, prit e të shohim. Unë kam frik me prit dimrin në këtë shtëpi ore, me ardhur një furtunë e madhe na zë të gjithë brenda./tvklan.al