Denaj: Do të subvencionojmë ndërmarrjet që investojnë në teknologji

Qeveria do të aplikojë një skemë të re garancie sovrane për sektorin e manifakturës dhe turizmit.

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Investimeve, ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj tha se dy skemat e dhënies së kredive të garantuara nga buxheti i shtetit do të kenë në fokus mbështetjen e investimeve në këto ndërmarrje në teknologji dhe inovacion.

Llogaritet që fondi në dispozicion të këtyre bizneseve të kapë një vlerë totale prej 100 milionë Eurosh.

“Do të vemë në dispozicion të sektorit të manifakturës 50 milionë Euro dhe po mendojmë për një vlerë të njëjtë edhe për turizmin. Fokusi do të jetë për të nxitur investimet në këto ndërmarrje dhe rritjen e prodhimit”.

Në strategjinë e re të qeverisë për të nxitur investimet, fokusi kryesor do të jetë dhënia e ndihmës për ndërmarrjet e vogla e të mesme, sektorin e shërbimeve dhe bujqësinë, si degët më të prekura nga pandemia e Covid-19.

“Në planin tonë është subvencionimi i 50% të trajnimeve për punonjësit që duhet të angazhohen në këto kompani, sidomos në fushën e inovacionit. Shteti do të mbulojë kostot me subvencion ose taks kredit”.

Në total parashikohet që në vitet 2021-2027 të ofrohet ndihmë direkte për biznesin në vlerën e 78 milionë Eurove, ku 70% e kësaj shume do të financohet nga buxheti i shtetit.

Tv Klan