Reshjet e dendura dhe përmbytjet për ditë të tëra e kanë gjunjëzuar shtetin federal jugor brazilian të Rio Grande do Sulit, ku është shpallur gjendja e katastrofës natyrore.

Numri i të vdekurve kapërceu 100 dhe pritet të rritet edhe më shumë. Numërohen me qindra të plagosur dhe 160 mijë banorë që janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre që tashmë janë pushtuar nga uji. Situata më e rëndë është në kryeqendrën e këtij shteti, Porto Alegre që është i përfshirë i gjithi nga përmbytjet. Niveli i ujërave në disa zona mbulon shtëpitë një-katëshe.

Përmbytjet kanë shkaktuar probleme edhe në aeroportin e qytetit, ku disa avionë janë bllokuar mes ujërave, ndërsa të tjerë e bëjnë uljen duke hamendësuar gjerësinë e pistës.

Autoritetet thanë se pasojat e përmbytjeve, ku sërish shkaktare është ngrohja globale, kanë prekur të paktën 1 milionë banorë të këtij shteti. Shumica e tyre vuajnë mungesën e ujit të pijshëm, energjisë elektrike dhe furnizimit me ushqime dhe ilaçe.

Tv Klan