Mbeten shumë të larta rastet e infeksionit në vend

Viktimat në 24 orë nga koronavirusi janë 11 pacientë që trajtoheshin në spitale dhe nuk kanë mundur t’ia dalin në betejën me Covid.

Sipas Ministrisë së Shendetësisë, viktimat janë 3 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Kurbini, 1 qytetar nga Bulqiza, 1 qytetar nga Elbasani, 1 qytetar nga Durrësi, 1 qytetar nga Berati, 1 qytetar nga Fieri, 1 qytetar nga Lushnja, të moshave 36-80 vjeç.

Ndërkohë, shifrat e të prekurve mbeten sërish shumë të larta. Pas rekordit të ditës së shtunë, personat e konfirmuar pozitivë janë 876, të shpërndarë në të gjithë vendin.

Gjithsesi vatra kryesore e pandemisë mbetet Tirana me 290 të prekur në 24 orë, e ndjekur nga qytetet e mëdha si Lushnja, Vlora, Fieri dhe Durrësi. Nga 3144 testime që janë kryer, të dhënat tregojnë se harta e përhapjes së koronavirusit është zgjeruar edhe në bashkitë e vogla.

Në spitalet Covid, ditët e fundit po vihet re një rritje e të shtruarve. Kështu, autoritetet raportojnë për 343 pacientë, 19 në terapi intensive nga të cilët 6 pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 497 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve 47,424 që nga fillimi i epidemisë.

Tv Klan