Dyshime se u influencua nga një video-lojë

Një nxënës 11-vjeçar hapi zjarr në një shkollë në Meksikë duke lënë të vdekur një mësuese dhe duke plagosur gjashtë persona të tjerë.

Incidenti i rëndë ndodhi të premten në një kolegj privat në qytetin Torreon. Pasi kreu aktin, 11-vjeçari qëlloi veten duke gjetur vdekjen. Nuk dihen ende shkaqet e kësaj ngjarje të rëndë, por autoritetet dyshojnë se ai është influencuar nga një video-lojë.

Mediat raportojnë se në Meksikë vrasjet janë në rritje, megjithatë të shtënat nëpër shkolla janë shumë të rralla. Kryebashkiaku i qytetit, Jorge Zermeno, tha për mediat lokale se nxënësi ishte shumë mirë me mësime, kishte sjellje normale dhe jetonte me gjyshen. Mësohet se ai ka qëlluar me dy armë, ndërkohë që nuk dihet se si i ka marrë ato.

Personat e plagosur janë 5 nxënës të tjerë dhe një mësues i edukimit fizik. Ata janë jashtë rrezikut për jetën. Raportohet se 11-vjeçari kishte kërkuar që të shkonte në tualet sapo kishte shkuar në shkollë. Kur mësuesja shkoi që ta kërkonte pas 15 minutash, i mituri hapi zjarr menjëherë.

“Kishte sjellje të mirë, por disa nxënësve të klasës u kishte thënë se ‘sot ishte dita’”, tha guvernatori Miguel Angel Riquelme. Ai shtoi më tej se 11-vjeçari kishte veshur një bluzë me emrin e një video-lojë të quajtur “Natural Selection”./tvklan.al