Rritet numri i të shtruarve në spitale

Shqipëria shënon sërish numër të lartë viktimash për shkak të Covid-19. Në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 15 persona, mes tyre edhe një 17-vjeçar, i cili ishte shtruar prej disa ditësh në spitalin “Shefqet Ndroqi” dhe ndodhej në intubim për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.

Për shkak të virusit ka humbur jetën edhe një 28-vjeçare shtatzënë, po nga Elbasani, por fatmirësisht foshnja e saj ka mundur të shpëtojë nga ndërhyrja cezariane. Ajo ishte infektuar me Covid teksa ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë. Për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore mjekët kanë ndërhyrë për të shpëtuar foshnjen e saj.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë nga 15 viktimat e Covid të hënën, 6 qytetarë janë nga Tirana, 2 qytetarë nga Fieri, 2 qytetarë nga Kavaja, si dhe nga 1 qytetar nga Elbasani, Mirdita,  Lushnja, Delvina, Pogradeci. 

Vijojnë të mbeten të larta edhe shifrat e të infektuarve. Nga 3258 testime të kryera kanë pozitivë 1039 qytetarë. Tirana vijon të mbetet me shifrat më të larta të të infektuarve me 471, e ndjekur nga Berati me 56 raste, Kruja me 54 raste, Elbasani me 47 raste, Vlora me 45, Korça me 40 raste dhe Durrësi me 34 raste.

Edhe numri i të shtruarve vijon të rritet. Krahasuar me një ditë më parë, në spitalet Covid janë shtruar 24 persona më shumë. Aktualisht në spitalet Covid në Tiranë dhe në dy spitale rajonale po trajtohen 656 pacientë, 48 në terapi intensive nga të cilët 16  pacientë janë të intubuar.

Në 24 orët e fundit 989 qytetarë kanë fituar betejën me Covid, duke e çuar numrin e të shëruarve 64,318 që nga fillimi i epidemisë. Ndërsa numri i vaksinimeve ka arritur në 6728 vaksina.

Tv Klan