Nxënësja e shkollës 9 vjeçare “Besëlidhja” Ester Shema përmes muzikës klasike shfaqi përpara publikut lezhjan talentin e saj në instrumentin flaut. Koncerti recital i 15 vjeçares u shoqërua nga instrumentistë të tjerë ku u luajtën vepra të kompozitorëve të njohur.

Shema tha se ky recital i saj i parë i arriti pritshmëritë për të cilat është dashur një punë e gjatë duke marrë duartrokitjet e publikut.

Ester Shema: Pritshmëritë ishin shumë të larta, mendoj që arrita t’i kap. Mendoj se bëra krenare shkollën dhe qytetin Lezhë. I vështirë ka qenë gjithë ky organizim, sepse është përgjegjësi shumë e madhe. Por, kemi shumë muaj që punojmë, shumë lodhje, sakrificë. Ja kemi arritur!

Për mësuesen e saj Angjela Hamadi edhe pse bëhej fjalë për një instrument pak të njohur për publikun, ky i fundit mbushi sallën dhe shijoi çdo performancë të Esterit.

Angjela Hamadi: Flauti është një instrument që deri diku nuk është njohur nga publiku, sidomos për disa të rinj. Ky është misioni jonë, që t’i bëjmë instrumentat të njohur dhe të rinjtë t’i duan ato. Unë jam shumë e lumtur që sot u realizua ky recital dhe ajo e ka përmbushur atë që unë kam dashur të bëhet me Esterin.

Koncertet me muzike klasike tregojne se në shkollen “Besëlidhja” po rriten artistë shumë premtues për të ardhmen.

Zhani Ciko: Unë gëzohem shumë që shoh talente këtu që kemi dashur gjithnjë ta shohim Lezhën, një qytet historik. Një qytet që ka qenë ndërkombëtar, dhe ky shkëlqim intelektual e muzikor duhet të ketë gjurmë edhe në ditët e sotme.

Pjerin Ndreu: Është kaq e bukur të vish këtu çdo javë dhe të shijosh këto talente të jashtëzakonshme. Po i japin qytetit tonë energji të reja dhe po e bëjnë këtë sallë të ketë shumë emocion.

Vetëm në dy javë janë mbajtur tre koncerte me muzikë klasike në Lezhë, diçka që nuk kishte ndodhur kurrë më parë dhe kjo i dedikohet vetëm shkollës “Besëlidhja” dhe nxënësve të saj në klasat e muzikës që po nxisin një zhvillim të ri në jetën kulturore të këtij qyteti.

Klan News