Kombëtarja shqiptare e 17-vjeçarëve ka njohur kundërshtarët për në kampionatin Europian që mbahet në vendin tonë vitin e ardhshëm. Kuqezinjtë e vegjël u pozicionua në Grupin 3 së bashku me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe.

Të gjitha ndeshjet e raundit të parë të kualifikueseve do të luhen në periudhën korrik-nëntor të këtij viti, teksa në raundin e dytë do të kualifikohen 28 ekipe, pra vendi i parë dhe i dytë i çdo grupi.

Në raundin e dytë do të hidhet short nga UEFA, ku skuadrat do të ndahen në shtatë grupe me nga katër ekipe. Pas përfundimit të ndeshjeve kualifikuese të raundit të dytë, shtatë vendet e para të çdo grupi do t’i bashkangjiten Shqipërisë, që është e kualifikuar automatisht si vendi organizator.

Edhe Shqipëria U-19 ka njohur kundërshtarët e raundit kualifikues për Kampionatin Europian “Rumani 2025”. Shqipëria U-19 u pozicionua në Grupin 11 së bashku me Izraelin, Danimarkën dhe Irlandën e Veriut.

Në rast se kuqezinjtë do të renditen në vendin e parë ose të dytë në Grupin 11 pas ndeshjeve të këtij raundi do të kualifikohen më tej për në fazën “Elite Raund”. Një mundësi e mirë për të kaluar në këtë fazë do të jetë edhe si vendi i tretë më i mirë i çdo grupi.

Klan News